Pioli i sigurt se Milani do të arrin në finale

  • S.A /
  • 15 May 2023 - 16:30
Pioli i sigurt  se Milani do të arrin në finale

Stefano Pioli është i vendosur që ekipi i tij të korrigjojë gabimet dhe të përmbysë deficitin e dy golave në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Interit, të martën në mbrëmje. Trajneri i Rossonerëve pranoi në konferencë për media para ndeshjes së nesërme se ekipi i tij ka bërë disa gabime në ndeshjet e fundit, por sipas tij e kaluara është "e padobishme" dhe është shprehur  i sigurt se ekipi i tij do të përfitojë edhe nga gabimet e mundshme të kundërshtarit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Pioli pranoi se nuk do të jetë sfidë e lehtë, por tha se ka besim të madh në cilësinë e skuadrës së tij. Kur u pyet se si po përgatitet ekipi për gjysmëfinalen, Pioli u përgjigj: "Po përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme. Lojtarët kanë vendosmëri të madhe për të bërë paraqitje më të mirë se në ndeshjen e parë dhe për të fituar. Nuk është e lehtë të përgatitesh për një ditë, por kemi një qëllim të rëndësishëm në mendje, si asnjëherë parë: të fitojmë ndeshjen dhe të kualifikohemi në finale. Tash më shumë se kurrë më parë, askush nuk beson se Milani mund të arrijë në finale. Por, unë e di që mund të luajmë një ndeshje të shkëlqyeshme".

Ai ka thënë se skuadra e tij synon të performojmë në një nivel të lartë në këtë ndeshje. "Niveli i shfaqur në pjesën e dytë në ndeshjen e parë nuk mjafton. Por, e di se kemi aftësinë për ta ngritur këtë nivel. Është një ndeshje e gjatë, duam ta fillojmë mirë, pastaj të qëndrojmë në lojë dhe të përfitojmë nga gabimet e tyre”, ka shtuar Pioli.

Ai ka thënë se këto janë aso ndeshjesh për të cilat disa lojtarë ëndërrojnë t’i përjetojnë.

“Ne e dimë se po fillojmë me një disavantazh, por kemi cilësinë për ta përmbysur rezultatin", ka vijuar trajneri i kuqezinjve.

Ai ka pranuar se janë disa gjëra të cilat skuadra e tij duhet t’i përmirësojë në lojë, veçanërisht në zonën e 16-metërshit, sikur në sulm ashtu edhe në mbrojtje.

(Kosova Sot Online )