Muriqi mund të bëhet me ekip të ri javën tjetër

  • S.A /
  • 30 June 2023 - 13:53
Muriqi mund të bëhet me ekip të ri javën tjetër

Vedat Muriqi mund të largohet nga Mallorca në afatin kalimtar të verës, transmeton "Kosova Sot Online".

Sulmuesi kosovar e kaloi një sezon të shkëlqyeshëm në Spanjë duke i realizuar 16 gola dhe duke i bërë 4 asistime në të gjitha garat. Por, 29 vjeçari po e shqyrton mundësinë e largimit nga La Liga për ta provuar një eksperiencë të re.

Mediat turke shkruajnë me të madhe se “Pirati” tashmë e ka zgjedhur ekipin e tij të ri. Madje, sipas tyre, përfaqësuesi kosovar mund ta ndërrojë mjedisin qysh në javën e ardhshme. Më saktësisht, ish-futbollisti i Lazios mund të përfundojë në Galatasaray. Gjiganti turk e sheh prizrenasin si alternativë ideale të Mauro Icardit, i cili pritet të largohet nga ekipi nga Stambolli, ku e kaloi një sezon pozitiv në formë huazimi nga Paris Saint-Germaini. Mallorca e vlerëson 20 milionë euro ish-futbollistin e Rizesporit dhe të Fenerbahçes, por palët mund të merren vesh për një shumë më të ulët pasi oferta e Galatasarayt është 10 milionë euro. Muriqi e ka konsideruar gjithmonë Turqinë si shtëpinë e tij të dytë dhe e kishte pranuar që një ditë do të donte të kthehet në Superligën turke. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që ai të kthehet në këtë vend gjatë kësaj vere.

Muriqi aktualisht ndihet mirë në Mallorca, ku është bërë mjaft i dashur për tifozët e këtij klubi, por me gjasë do të largohet prej aty. Vedati, krahas Turqisë, ka opsione të tjera edhe në Spanjë, në Angli dhe në Itali. 

(Kosova Sot Online )