Cristiano Ronaldo makineri e golit, njihuni me rekordet e jashtëzakonshme të “CR7”

  • S.A /
  • 13 July 2023 - 12:09
Cristiano Ronaldo makineri e golit, njihuni me rekordet e jashtëzakonshme të “CR7”

Cristiano Ronaldo është shembull i një sportisti që ka arritur gjithçka me punë. Ndonëse më pak i talentuar se Leo Messi, ylli portugez konsiderohet si futbollisti më i kompletuar në histori, transmeton "Kosova Sot Online".

Gjuajtjet e sakta me të dyja këmbët, shpejtësia, goditjet me kokë e driblimi, janë disa nga veçoritë e “CR7”, të cilin e kanë bërë atë një legjendë.

Fizikusi i tij dhe muskujt nuk e kanë tradhtuar asnjëherë.

38 vjeçari luan në nivele të larta qe thuajse 20 vjet, ndërsa ka fituar gati gjithçka në karrierë.

Së fundmi, Ronaldo hyri në librin e rekordeve botërore “Guinness” për më së shumti paraqitje me Kombëtaren.

Në fakt, në ndeshje me Islandën, veterani i sulmit e arriti numrin jubilar, 200, të paraqitjeve për Portugalinë, të cilën e arriti në periudhën prej afro dy dekadash.

Ronaldo e kishte thyer në mars rekordin e sulmuesit të Kuvajtit, Bader Al-Mutawa, i cili i kishte zhvilluar 196 me Kombëtaren.

Dhe, këtij rekordi i dha edhe më shumë kuptim goli i fitores minimale, 1:0, të cilin e shënoi pikërisht Ronaldo.

Ai e mban rekordin edhe për më së shumti gola të shënuar në nivelin e kombëtareve, më saktësisht 123 gola.

Futbollisti nga Madeira i ka mbushur vitrinat me trofe, qofshin ata individualë apo ekiporë.

Ronaldo e ka fituar Ligën e Kampionëve 5 herë, katër herë me Real Madridin dhe një herë me Manchester Unitedin, rekord ky absolut të cilin e ndan së bashku me disa lojtarë të tjerë të Realit.

E në Champions, ai la gjurmë të pashlyeshme duke i mbajtur ende disa rekorde.

E nisim me radhë.

Ronaldo fillimisht e mban rekordin për më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve, plot 183.

Ai kishte statistika impresionuese në garën më prestigjioze evropiane në nivel të klubeve.

Futbollisti i Al-Nassr i ka shënuar 140 gola në Champions, një rekord absolut.

Gjithashtu, e mban primatin edhe për më së shumti asistime në këtë garë: 42.

Ronaldo është rekordmen edhe sa u përket paraqitjeve në total në karrierë.

Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit i ka zhvilluar mbi 1100 ndeshje në karrierë.

E ai është rekordmen edhe sa i përket golave të shënuar në përgjithësi.

Cristiano i ka shënuar 838 gola në karrierën e tij të jashtëzakonshme deri tash, shkruan “Gazeta Express”.

Ronaldo e ka shkruar emrin e tij edhe në histori të Kampionateve Evropiane.

Aty, portugezi i ka realizuar plot 14 gola në total, më shumë se çdo futbollist tjetër.

E siç dihet, suksesi i tij më i madh në karrierë ishte kur e fitoi Kampionatin Evropian me Portugalinë.

Natyrisht, edhe çmimet e Topit të Artë e ngritën vlerën e Ronaldos.

Ai e ka fituar pesë herë këtë trofe prestigjioz individual, vetëm dy herë më pak se lideri Lionel Messi.

Gjithashtu, “CR7” e ka fituar katër herë Këpucën e Artë, si golashënuesi më i mirë në Evropë, dy herë më pak se ylli argjentinas.

Rekordi i tij është 48 gola në sezon, i arritur në edicionin 2014/15.

Ndërkohë, portugezi e kishte fituar tri herë edhe çmimin “Pichichi” si golashënuesi më i mirë në Spanjë, vetëm një më pak se Messi.

Tutje, Ronaldo është edhe lojtari i parë që i ka fituar krejt trofetë me dy klube të ndryshme, përfshirë këtu Ligën e Kampionëve dhe ligën, me Manchester Unitedin dhe me Real Madridin.

Ai gjithashtu ishte bërë lojtari i parë që e kishte arritur shifrën e 300 golave në La Liga në vetëm 286 ndeshje.

Ndër të tjera, Ronaldo ishte i pari që i kishte shënuar 50 gola e më shumë në 6 sezone radhazi në Top 5 ligat evropiane. Po ashtu, ai ishte bërë lojtari i parë që i kishte shënuar më shumë se 10 gola në Ligën e Kampionëve në 8 sezone radhazi.

(Kosova Sot Online )