Kosova do t’i nisë përgatitjet të mërkurën, trajneri Hadar kërkon fitore ndaj Zvicrës e Danimarkës

  • S.A /
  • 17 July 2023 - 15:01
Kosova do t’i nisë përgatitjet të mërkurën, trajneri Hadar kërkon fitore ndaj Zvicrës e Danimarkës

Më 19 korrik, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll i nis garat për parakualifikueset e Eurobasketit 2025, transmeton "Kosova Sot Online ".

Dardanët i presin katër ndeshje gjatë korrikut e gushtit, derisa të mërkurën mbrëma do të përballen ndaj Zvicrës, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. E përpara kësaj përballjeje, përzgjedhësi i ri i Kosovës, Rami Hadar foli rreth synimeve.

“Ne kemi bërë shumë punë gjatë dy javëve të fundit, nuk mund të ankohem për punën e lojtarëve, ata kanë bërë gjithçka mirë, duhet të fitojmë ndeshje në këto parakualifikime, ky është synimi i parë. Meqë jam këtu për tri vjet, jemi duke e përdorur këtë kampanjë për të instaluar filozofinë time të lojës, që do të na shërbejë në vitet në vijim”.

Mbështetja e Dardanëve është vendimtare, e këtë e theksoi edhe vet trajneri izraelit, i cili kërkoi mbështetjen e tyre.

“Kemi bërë shumë progres të mirë në dy javët e fundit, por s’kemi mbaruar ende, ndeshje kudër Shqipërisë, na shfaqi disa mangësi, që duhet t’i eliminojmë. Me mbështetjen e tifozëve, shpresoj se mund të bëjmë diçka gjatë kësaj kampanje”.

Pas Zvicrës, Kosova i luan dy takimet e ardhshme si mysafirë.

Fillimisht, më 26 korrik, tanët luajnë ndaj Danimarkës, e më pas tre ditë më vonë ndaj Zvicrës.

Këtë cikël parakualifikues, Dardanët e mbyllin në shtëpi ndaj Danimarkës më 5 gusht.

Kosova me Zvicrën nuk është përballur asnjëherë, derisa me Danimarkën po, ka një fitore e një humbje.

(Kosova Sot Online )