Rrjedha me detaje, ja si erdhi deri te ndërprerja e ndeshjes Rumani – Kosovë

  • S.A /
  • 13 September 2023 - 08:48
Rrjedha me detaje, ja si erdhi deri te ndërprerja e ndeshjes Rumani – Kosovë

Mbrëmë u ndërpre dueli mes Rumanisë dhe Kosovës i vlefshëm për kualifikimet e Kampionatit Evropian ‘Euro 2024’, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ishte minuta e 18 e ndeshjes kur gjyqtari kryesor ka ndërprerë duelin mes Rumanisë dhe Kosovës.

Tifozët rumun kanë shpalosur një banderolë nacionaliste me një mbishkrim që nuk ka të bëj asgjë me realitetin ‘Kosova është Serbi’.

Kjo ka bërë që menjëherë futbollistët e Kosovës ta njoftojnë gjyqtarin kryesor francezin Willy Delajod i cili ka ndërprerë ndeshjen.

Futbollistët e Rumanisë kanë shkuar te tifozët e tyre duke i kërkuar te hiqnin banderolën, por ata nuk i dëgjuan as futbollistët e as policinë.

Gjyqtari ka kërkuar të zhvillohet ndeshja fillimisht, por kanë qenë futbollistët e Kosovës që kanë refuzuar të luajnë me banderola nacionaliste.

Dardanët i kanë bërë të qartë gjyqtarit kryesorë se pa u larguar banderolat anti Kosovë nuk do të luajnë.

Momentin që gjyqtari francez i urdhëroi skuadrat të shkojnë në zhveshtore, Milot Rashica filloi të duartrokas dhe ta përshëndes vendimin e gjyqtarit kryesor.

Në këto momente është duke u mbajtur një mbledhje mes gjyqtarit kryesor, delegatit të ndeshjes me dy kapitenët dhe zyrtarët e federatave.

Ndeshja pritet të vazhdoj, por që nëse përsëriten thirrjet në kor nga tifozët rumun anti Kosovë atëherë gjyqtari do ta ndërpresë sërish.

(Kosova Sot Online )