Prishtina rikthehet në “Fadil Vokrri” me ndeshjen ndaj Lirisë

  • S.A /
  • 15 September 2023 - 13:49
Prishtina rikthehet në “Fadil Vokrri” me ndeshjen ndaj Lirisë

FC Prishtina nga kjo javë do të mund t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri”, transmeton "Kosova Sot Online".

Ndeshja ndaj Lirisë, e vlefshme për xhiron e pestë në Superligë, do të jetë e para e këtij sezoni për prishtinasit në “Fadil Vokrri”.

Klubi kryeqytetas njoftoi zyrtarishit për rikthimin në stadium, teksa zbuloi edhe çmimet e biletave për sfidën ndaj prizrenasve.

Njoftimi i plotë nga FC Prishtina:

“Prishtina – Liria, zhvillohet në “Fadil Vokrri”

FC Prishtina ka marrë njoftimin për orarin e zhvillimit të ndeshjes së javës së pestë të Albi Mall Superliga e Kosovës ndërmjet Prishtina – Liria që zhvillohet të dielën më 17 shtator nga ora 15:00.

Pas këtij njoftimi, ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin, “Fadil Vokrri”.

Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre.

Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës.

Ftojmë tifozerinë tonë që numër sa më të madh të jetë në përkrahje të klubit të zemrës.

Çmimi i biletave është 3 euro në tribunën perëndimore, 2 euro në tribunën lindore dhe 1 euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, Plisat”.

(Kosova Sot Online )