Nënshkruhet marrëveshje për projektin e stadiumit në Gjilan me zotimin se do përfundohet

  • S.A /
  • 16 September 2023 - 14:06
Nënshkruhet  marrëveshje për projektin e stadiumit në Gjilan me  zotimin se  do përfundohet

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka dhënë një lajm të mirë lidhur me stadiumin e futbollit në Gjilan, për të cilin u premtua se më në fund do të përfundohet dhe të jetë në gjendje për të ofruar kushtet e lojës, transmeton "Kosova Sot Online".

Ministri Çeku njoftoi se sot ka nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin për ndërtimin e stadiumit në këtë qytet.

Ai gjithashtu publikoi edhe fotografi nga projekti i ri i stadiumit, që tashmë është përfunduar. Gjithashtu edhe buxheti i nevojshëm për financim është siguruar. Projekti do të kushtojë 15 milionë euro.

I pari i MKRS-së theksoi se procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë.

Njoftimi i plotë nga ministri Çeku:

“Stadiumi i Gjilanit po bëhet

Planifikimi i duhur është thelbësor për suksesin e çdo projekti dhe këtë e kemi bërë me Stadiumin e Gjilanit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me secilin projekt infrastrukturor që e fillojmë. Kështu po sigurohemi se ajo çfarë ka ndodhur në qeverisjet e kaluara të mos përsëritet më.

Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.

Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë.

Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal.

Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin!”. 

(Kosova Sot Online )