Korrupcion edhe në futboll, Barcelona po hetohet për ryshfet të dyshuar në rastin e referëve

  • S.A /
  • 28 September 2023 - 12:03
Korrupcion edhe në futboll, Barcelona po hetohet për ryshfet të dyshuar në rastin e referëve

Barcelona po hetohet për përfshirje të dyshuar të dhënies së ryshfetit prej një pagese prej më shumë se 7 milionë eurosh në drejtim të kompanive të lidhura me ish zëvendës-presidentin e Komitetit të Referëve, Jose Maria Enriquez Negreira, kanë thënë burime gjyqësore për agjencinë e lajmeve spanjolle “EFE, transmeton "Kosova Sot Online"”.

Ish-presidentët e Barcelonës, Josep María Bartomeu e Sandro Rosell po ashtu ngarkohen me të njëjtat akuza, njëjtë si Negreira dhe i biri i tij, Javier Enríquez Romero.

Barça ishte akuzuar më parë për korrupsion të dyshuar në sport, korrupsion në biznes, administrim fals dhe falsifikim të dokumenteve komerciale.

Ndërkohë, “EFE” raporton gjithashtu se policia e kontrolloi zyrën e arbitrave në Federatën Mbretërore të Futbollit Spanjoll [RFEF] në Madrid të enjten për dokumentacion në lidhje me rastin.

Një gjykatë spanjolle e pranoi fillimisht një ankesë të paraqitur nga prokurorët kundër Barçës, ish-presidentëve të saj dhe Negreiras në mars dhe e kishte hapur një hetim.

Shtimi i akuzave për ryshfet tani mund ta përshpejtojë një proces që ka vazhduar që nga shkurti, kur pagesat u zbuluan për herë të parë.

Barça dyshohet se i pagoi kompanitë e Negreiras me mbi 7 milionë euro midis viteve 2001 dhe 2018 ndërsa ai ishte nënkryetar i Komitetit të Gjyqtarëve të Futbollit.

Joan Laporta, presidenti aktual i Barçës, ka thënë se pagesat ishin për “raporte teknike për gjyqtarët” dhe mohoi që klubi të ketë “blerë gjyqtarë apo të ketë ndikuar tek ata”.

Megjithatë, prokurorët i akuzuan Rosell dhe Bartomeu se kishin një marrëveshje me Negreira, në të cilën “ai do të kryente veprime që synonin favorizimin e Barçës në vendimmarrjen e gjyqtarëve në ndeshjet e luajtura nga klubi dhe kështu rrjedhimisht në rezultatet e garave”. 

(Kosova Sot Online )