Kapiten Rrahmani mund t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës këtë muaj, por jo për të luajtur!

  • S.A /
  • 06 October 2023 - 11:36
Kapiten Rrahmani mund t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës këtë muaj, por jo për të luajtur!

Amir Rrahmani pritet t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës në grumbullimin e tetorit, i cili do të nisë nga e hëna e ardhshme, transmeton "Kosova Sot Online".

Mirëpo, futbollisti kosovar nuk do të mundë t’i ndihmojë “Dardanët” në dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024, kundër Andorrës të enjten që vjen dhe ndaj Izraelit të dielën e ardhshme.

Kjo për shkak qe kapiteni i Kosovës është lënduar pak javë më parë dhe nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë kampionin italian me paraqitjet e tij në fushën e blertë.

E mediat italiane zbulojnë se Rrahmani do ta pranojë ftesën e trajnerit Primoz Gliha, por që do të shkojë në Kosovë vetëm për ta vazhduar fazën rehabilituese, pa rrezikuar të paraqitet në ndeshjet e tetorit.

Rrahmani është i lidhur ngushtë me vendin e tij dhe do ta shfrytëzojë pauzën e ligave për shkak të angazhimeve të lojtarëve me Kombëtaret, për të qenë më afër familjes dhe për të ushtruar në atdheun e tij, shkruan mediumi italian, “Il Mattino”.

Ndërkohë, stafi mjekësor i Napolit dëshiron që lojtari të vazhdojë të ushtrojë në qendrën Castel Volturno pasi Rrahmani ishte lënduar fillimisht pikërisht sa ishte i angazhuar me Kombëtaren, në duel me Rumaninë.

Rrahmani nuk do të mundë ta ndihmojë Napolin as këtë fundjavë në përballje me Fiorentinën. 

(Kosova Sot Online )