“Dardanët” nisen për në Andorrë me optimizëm për fitoren e parë në këto eliminatore

  • S.A /
  • 11 October 2023 - 09:35
“Dardanët” nisen për në Andorrë me optimizëm për fitoren e parë në këto eliminatore

Kontingjenti i Kombëtares së Kosovës është nisur sot drejt Andorrës, ku nesër mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2024.

“Dardanët” kanë ushtruar të hënën dhe të martën në Kosovë, ndërsa sot pasdite do ta zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para duelit të nesërm.

Federata e Futbollit e ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihen futbollistët dhe stafi i Kosovës duke hipur në aeroplan në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë dhe duke u nisur për në Andorrë.

Kosova do t’i ketë disa mungesa për këtë sfidë, por lojtarët që janë në dispozicion janë optimistë dhe të vendosur për ta shijuar fitoren e parë në këtë kampanjë kualifikuese.

Ata deri tash i kanë zhvilluar gjashtë ndeshje, ndërsa i kanë regjistruar katër barazime e dy humbje.

Nga ana tjetër, kundërshtari i saj i nesërm është në vendin e fundit, po ashtu pa fitore, me dy barazime e katër humbje.

Ndeshja mes Andorrës dhe Kosovës, e vlefshme për Grupin I të eliminatoreve për Euro 2024, do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:45.

Ndërkohë, ndeshja e Kosovës me Izraelin, e paraparë të luhet këtë të diel, sipas të gjitha gjasave do të shtyhet nga UEFA pas ngjarjeve të fundit në Izrael, i cili po përballet me luftë ndaj Hamasit palestinez. 

(Kosova Sot Online )