Luka Modric nuk përjashton mundësinë e largimit nga Real Madrid

  • S.A /
  • 13 October 2023 - 10:25
Luka Modric nuk përjashton mundësinë e largimit nga Real Madrid

Mesfushori kroat, Luka Modric, e ka lënë si të hapur të ardhmen e tij duke mos përjashtuar një largim eventual nga Real Madrid për shkak të minutazhës së vogël këtë edicion të ri të garave, transmeton "Kosova Sot Online".

Ka më shumë se një dekadë që prej se Modric u bë pjesë e Real Madridit pas një aventure në Ligën Premier me Tottenhamin. Veterani i mesfushës kaloi nëpër shumë sfida me Los Blancos gjatë këtyre viteve, ai madje u cilësua si transferi më i dobët ndonjëherë nga Real Madridi pas sezonit të tij debutues.

Duke folur javën e kaluar, Carlo Ancelotti u shpreh me vendosmëri se nuk ka ndonjë shans që Luka Modric të largohet nga Real Madrid në janar.

38-vjeçari ka startuar në vetëm vetëm katër ndeshje këtë sezon, teksa në pesë paraqitje të tjera  është futur nga stoli.

Në një prononcim të shkurtër për shtypin kroat pas ndeshjes me Turqinë të enjten, Luka u pyet për fjalët e Ancelottit.

“Epo, nuk do të doja të hyja në atë çështje tani, ka ende shumë kohë deri në dimër dhe në fund të vitit. E kam thënë shumë herë, në moshën time nuk mund të planifikosh asgjë paraprakisht, duhet të shkosh ditë pas dite, ndeshje pas ndeshje dhe do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”, ishte shprehur fituesi i Topit të Artë.

Përveç Modric, me mungesë të minutazhës po përballet edhe Toni Kroos e kjo vetëm për shkak të paraqitjeve të mira nga lojtarët e rinj si Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Fede Valverde dhe Jude Bellingham.

Forma e tyre po e detyron teknikun italian që të marrë vendimin e vështirë për të lënë në bankë dyshen që i solli shumë trofe madrilenëve.

(Kosova Sot Online )