Rrahmani detyrohet t’i nënshtrohet operimit pas lëndimit të pësuar ndaj Andorrës

  • S.A /
  • 13 October 2023 - 11:03
Rrahmani detyrohet t’i nënshtrohet operimit pas lëndimit të pësuar ndaj Andorrës

Albion Rrahmani pësoi dje një lëndim në ndeshjen që Kosova e zhvilloi në udhëtim ndaj Andorrës në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, transmeton "Kosova Sot Online".

Rrahmani u desh të zëvendësohej në minutën e 66-të të takimit dhe të zëvendësohej nga ish-bashkëlojtari i tij te Ballkani, Meriton Korenica.

Përmes një komunikate Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se Rrahmani ka thyer kyçin e këmbes së djathtë, me ç’rast duhet t’i nënshtrohet një operimi.

“Në ndeshjen e mbrëmshme Andorrë – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, sulmuesi ynë Albion Rrahmani ka pësuar lëndim, me ç’rast menjëherë është dërguar për ekzaminime mjekësore në spitalin e qytetit në Andorra La Vella. Pas këtyre ekzaminimeve ka rezultuar se ai ka pësuar frakturë në kyçin e këmbës së djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga FFK-ja.

Paraqitja ndaj Andorrës ishte vetëm e dyta për Albion Rrahmanin pasi paraprakisht kishte debutuar në ndeshjen ndaj Rumanisë të cilën Kosova e ka humbur me rezultat 2-0.

(Kosova Sot Online )