Edhe çfarë i nevojitet tjetër Shqipërisë për kualifikim në Evropian? Llogaritë e reja pas ndeshjeve të djeshme

  • S.A /
  • 16 October 2023 - 08:47
Edhe çfarë i nevojitet tjetër  Shqipërisë për kualifikim në Evropian? Llogaritë e reja pas ndeshjeve të djeshme

Dje  u zhvilluan ndeshjet e radhës në Grupin E kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.Pjesë e këtij grupi është edhe Shqipëria, që pas rezultateve të regjistruara këtë të diel, është edhe më afër kualifikimit të dytë në histori në një Evropian, transmeton "Kosova Sot Online".

Republika Çeke shënoi fitore minimale 1:0 ndaj Ishujve Faroe, teksa Polonia dhe Moldavia luajtën baras 1:1.

Kombëtarja shqiptare vazhdon të jetë lidere e grupit me 13 pikë, teksa deri në fund do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje; në udhëtim ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe pastaj do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe, më 20 nëntor.

Bazuar në renditjen e tanishme, përveç fitores, “Kuqezinjve” do t’i mjaftonte një pikë ndaj Moldavisë, për të siguruar edhe matematikisht një vend në “Euro 2024”.

Shqipëria do të kualifikohet si e para e grupit nëse fiton të dy sfidat.

Të përzgjedhurit e Sylvinhos kualifikohen edhe nëse pësojnë humbje ndaj Moldavisë, por mposhtin pastaj Ishujt Faroe.

Gjithashtu, vlen të theksohet se nëse ekipet kombëtare kanë pikët e barabarta në fund, shikohen ndeshjet direkte. Shqipëria qëndron më mirë edhe në këtë aspekt.

Kësisoj, “Kuqezinjtë” mund të kualifikohen edhe duke pësuar humbje edhe në dy ndeshjet e mbetura, por me kusht që ndaj Moldavisë të humbasë me një gol diferencë dhe ndeshjet tjera; Poloni – Republika Çeke dhe Republika Çeke – Moldavi të përfundojnë pa fitues.

Renditja në Grupin E:

Ndeshjet e mbetura në Grupin E:

17 nëntor:

Moldavi – Shqipëri

Poloni – Republika Çeke

20 nëntor:

Shqipëri – Ishujt Faroe

Republika Çeke – Moldavi

(Kosova Sot Online )