Paraqitje interesante e garuesve kosovarë në Skradin

  • S.A /
  • 16 October 2023 - 09:13
Paraqitje interesante  e garuesve kosovarë në Skradin

Ka përfunduar gara “Bongo Hill Climb Monsters 2023”, e cila në këtë fundjavë u mbajt në Skradin të Kroacisë, transmeton "Kosova Sot Online".

Pjesëmarrës ishin edhe tre garuesit tanë, Gazmend Demolli, Përparim Dushi e Faton Rama, të cilët patën paraqitje solide.

Në një konkurrencë shumë të fortë, Përparim Dushi me Opel Astra TCR u rendit i gjashti në Grupin 5, ndërsa Faton Rama me Renault Clio i 12-ti në Grupin 4.

Gazmend Demolli me Radicall SR8 LM pas vozitjes së parë ishte i 7-ti në plasmanin e përgjithshëm, por pati defekt në veturë dhe nuk arriti të përfundojë garën.

Fitues i garës doli zvicerani Faustin Robin me Osella FA30 me kohën e përgjithshme 02:47.055 minuta (01:23.477 dhe 01:23.577).

Në fakt gara më tepër është e karakterit të festivalit automobilistik, por që i tubon garuesit më të mirë nga Evropa, përfshirë kampionë e rekordmenë të njohur.

 

(Kosova Sot Online )