Amir Rrahmani rikthehet titullar këtë fundjavë, një muaj pas lëndimit

  • S.A /
  • 20 October 2023 - 12:49
Amir Rrahmani rikthehet titullar këtë fundjavë, një muaj pas lëndimit

Përsëri në fushë. Më në fund. Amir Rrahmani do ta marrë një vend titullari pas një muaji, transmeton "Kosova Sot Online". 

Qendërmbrojtësi kosovar nuk luan që prej katër javësh, që prej lëndimit kundër Bragës në Portugali, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Nga ajo kohë, ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit, Lokomotivës së Zagrebit dhe Veronës, ka qenë i detyruar të merret me lëndimin muskulor, të pësuar në kofshën e këmbës së majtë.

Rrahmani fillimisht ishte lënduar në duel me Rumaninë teksa luante për Kosovën, ndërsa më pas trajneri Rudi Garcia nuk kishte rrezikuar ta inkuadronte në lojë kundër Genoas.

Por, kjo ishte e pamjaftueshme pasi ai ishte lënduar në vetëm një çerek lojë pas disa ditësh në Champions.

E këtë fundjavë, më saktësisht të shtunën nga ora 15:00, Rrahmani pritet të jetë titullar në përballje me ish-skuadrën e tij, Verona.

Shpresojmë që përfaqësuesit kosovar të mos i përsëriten më lëndimet e tilla dhe ai të jetë i gatshëm edhe për duelet e nëntorit me “Dardanët” në kualifikimet e Euro 2024. 

(Kosova Sot Online )