Super derbi mes Sigal Prishtinës dhe Pejës në fundjavë

  • S.A /
  • 27 October 2023 - 14:27
Super derbi mes Sigal Prishtinës dhe Pejës në fundjavë

E gjithë vëmendja në xhiron e gjashtë të Superligës në basketboll do të jetë në kryeqytet, aty ku Sigal Prishtina e luan derbin ndaj Pejës. Pejanët në këtë takim hyjnë si lider me pikë të plota, derisa Prishtina ka katër fitore e një humbje. transmeton "Kosova Sot Online ".

Kryeqytetasit xhiron e kaluar fituan trilerin ndaj Bashkimit, derisa pejanët deklasuan Istogun.

Takimi mes Prishtinës e Pejës zhvillohet të shtunën nga ora 16:00.

Ekipi i dytë i tabelës, Trepça luan sërish në udhëtim, këtë herë ndaj Bashkimit.

Mitrovicasit do kërkojnë fitoren e dytë rresht në terrenin prizrenas, pasi një javë më herët mposhtën rivalin e tyre lokal, Prizrenin.

Xehetarët kanë katër fitore e një humbje, derisa prizrenasit tri fitore e dy humbje.

Kjo përballje do të luhet të dielën nga ora 19:00. 

Golden Eagle Ylli do kërkojë këndelljen në shtëpi përballë Prizrenit.

Suharekasit janë jashtë formës, kanë vetëm një fitore, e plot katër humbje, njëjtë sikurse prizrenasit.

Këto dy ekipe, takimin e luajnë të shtunën në ora 19:00.

Sfida e fundit do të jetë mes Istogut e Vëllaznimit, dy ekipeve që kanë bilanc edhe pikë të njëjta.

Vetëm nga një fitore, e katër humbje është bilanci i tyre deri më tani.

Gjakovarët hyjnë të motivuar pas fitores së madhe ndaj Yllit vikendin e kaluar. Takimi mes tyre do të luhet të dielën nga ora 17:00.

(Kosova Sot Online )