Ballkani – Dukagjini, xhiroja e 14-të e Superligës do të mbyllet sot me një përballje interesante

  • S.A /
  • 13 November 2023 - 11:05
Ballkani – Dukagjini, xhiroja e 14-të e Superligës do të mbyllet sot me një përballje interesante

Pas ndeshjes së mbrëmshme të Kombëtares së Kosovës, sot është radha e Superligës, transmeton "Kosova sot Online".

Ballkani dhe Dukagjini do të përballen mes vete në ndeshjen e fundit të xhiros së 14-të të ligës elitare, derisa katër ndeshjet tjera u luajtën të premten dhe të shtunën.

Therandasit luajnë si vendës dhe do të mundohen t’i mbajnë pikët në shtëpi, në mënyrë që ta rikthejnë distancën ndaj skuadrave ndjekëse, Drita e Llapi, që i fituan duelet përkatëse të shtunën.

Skuadra nga Suhareka është e vetmja që nuk ka humbur ende në këtë pjesë të parë të sezonit, duke e shfaqur superioritetin ndaj skuadrave të tjera. Sidoqoftë, Dukagjini ka ditur t’i prish punë kampionit kosovar.

Prandaj, klinasit do ta bëjnë më të mirën sot në Suhareka që të dalin të pamposhtur në ballafaqim me ekipin Portokalli, i cili i ka disa mungesa të rëndësishme. Aktualisht, Dukagjini e gjen veten në vendin e gjashtë me 17 pikë. Ndeshja mes Ballkanit dhe Dukagjinit do të fillojë në orën 13:00.

(Kosova Sot Online )