Zviceranët i bëjnë matematikat për lojën me Kosovën, i qesin në tavolinë të tre rezultatet

  • S.A /
  • 17 November 2023 - 08:45
Zviceranët i bëjnë matematikat për lojën me Kosovën, i qesin në tavolinë të tre rezultatet

Pas barazimit me Izraelin të mërkurën, Zvicra humbi mundësinë për të siguruar më herët kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Gjithsesi, kombëtarja e drejtuar nga Murat Yakin ka ende shanset për ta bërë një gjë të tillë – por, edhe rrezikon të dështojë në arritjen e këtij synimi, transmeton "Kosova Sot Online ".

Mediumi zviceran “20minuten” ka bërë matematikat për ndeshjen ndaj Kosovës, që do të zhvillohet të shtunën në Basel, se si mund të sigurojnë një vend në Evropian. Këtu duhet theksuar se edhe “Dardanët” kanë ende gjasat e tyre për kualifikim historik pas fitores së fundit ndaj Izraelit. 

Fitorja e Zvicrës ndaj Kosovës

Për shkak se Izraeli dhe Rumania do të takohen mes vete të shtunën, Zvicra do ta kishte në xhep biletën e Kampionatit Evropian me një fitore ndaj Kosovës. Rezultati i ndeshjes tjetër nuk do të kishte ndikim.

Barazimi i Zvicrës ndaj Kosovës

Edhe një barazim kundër Kosovës mund të mjaftojë për kualifikim direkt të “Helvetikëve”. Në këtë rast, Zvicra varet nga loja mes Izraelit dhe Rumanisë. Nëse Izraeli nuk merr tre pikë, Zvicra do të siguronte një vend në Gjermani vitin e ardhshëm. Por, nëse Izraeli fiton ndaj Rumanisë, Zvicrës do t’i duhet patjetër një barazim në ndeshjen e fundit në udhëtim kundër Rumanisë.

Humbja e Zvicrës ndaj Kosovës

Këtu gjërat bëhen pak më të ndërlikuara për zviceranët. Në rast të humbjes ndaj Kosovës, Zvicra në fakt do të duhej të shqetësohej për biletën e Kampionatit Evropian. Nëse Izraeli nuk fiton kundër Rumanisë në të njëjtën kohë, Zvicra duhet të marrë një pikë në ndeshjen e fundit kundër Rumanisë. Por, nëse Izraeli merr tre pikë, do të kishte një betejë të madhe në xhiron e fundit sepse renditja do të ishte kështu: Zvicra 16 pikë, Rumania 16 pikë, Izraeli 15 pikë.

Për shkak të dueleve direkte me Rumaninë, Zvicrës do t’i duhej një fitore ose të paktën një barazim 2:2 (i njëjtë me ndeshjen e parë) për të qëndruar përpara rumunëve dhe do të siguronte kualifikimin.

Në rastin tjetër, Zvicra mund të kërkojë kualifikimin në “Euro 2024” edhe përmes “play-offit” nga Liga e Kombeve.

(Kosova sot Online )