Ballkani niset drejt Zagrebit me synim kualifikimin historik

  • S.A /
  • 13 December 2023 - 11:18
Ballkani niset drejt Zagrebit me synim kualifikimin historik

Kontingjenti i Ballkanit e ka marrë rrugën drejt Zagrebit, ku të enjten do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Me fytyra të buzëqeshura, trajneri Ilir Daja me stafin e tij dhe me lojtarët u panë në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë para nisjes për në Kroaci.

Kampioni kosovar do t’i bëjë përgatitjet e fundit në Zagreb para sfidës së “Maksimirit”, e cila do të luhet të enjten duke filluar nga ora 21:00.

Aktualisht, Dinamo është e dyta në tabelë me 6 pikë, kurse Ballkani i katërti dhe i fundit me dy pikë më pak.

Me një fitore eventuale në Zagreb dhe me kusht që Astana nuk do të fitojë kundër Viktoria Plzenit në duelin tjetër të grupit, Ballkani mund ta sigurojë kualifikimin historik në fazën tjetër të Europa Conference League.

Kjo është hera e dytë që ekipi kosovar e arrin fazën e grupeve të kësaj gare, që është një sukses i jashtëzakonshëm.

Por, tash ambiciet dhe apetitet e ekipit Portokalli janë rritur dhe ata synojnë të shkojnë përtej limiteve… 

(Kosova Sot Online )