Alaba ka këputur ligamentin e gjurit, humbet pjesën e mbetur të sezonit

  • S.A /
  • 18 December 2023 - 08:57
Alaba ka këputur ligamentin e gjurit, humbet pjesën e mbetur të sezonit

Mbrojtësi i Real Madridit, David Alaba, ka pësuar një lëndim të rëndë në sfidën ndaj Villarrealit të cilën madrilenët e fituan me rezultat të thellë 4-1.

Po zhvillohej minuta e 35-të e ndeshjes kur Alaba ra në tokë dhe menjëherë kamerat e kapën duke mbajtur gjurin me dy duart.

Në përpjekje për të larguar topin nga këmbët e kundërshtarit, ai e zuri gjurin e tij në një pozitë shumë të keqe dhe tani sipas raportimeve të mediave nga Spanja, ai ka këputur ligamentin e kryqëzuar të përparmë, që ndryshe njihet si ACL. 

Nga ky lëndim kanë vuajtur shumë futbollistë gjatë këtij sezoni, e më së shumti ata të Real Madridit.

Kësisoji, Alaba i është bashkuar Militaos dhe Courtois në listën e lojtarëve që kanë këputur këtë ligament. 

Alaba këtë sezon ishte paraqitur në 14 ndeshje në La Liga me Real Madridin, duke startuar në të gjithat.

Tani sipas të gjitha gjasave dhe sipas asaj që tha Ancelotti në konferencën për shtyp pas ndeshjes, klubi madrilen do të vlerësojë opsionet në treg për të blerë një qendërmbrojtës.

Sidoqoftë, deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme, në atë pozicion Ancelotti mund të llogarisë edhe në shërbimet e Aurelien Tchouameni, i cili edhe më herët ishte aktivizuar në pozitën e qendërmbrojtësit.

(Kosova Sot Online )