Llapi e Drita luten dhe shpresojnë në një tjetër “kiks” të Ballkanit të dielën

  • S.A /
  • 21 December 2023 - 09:55
Llapi e Drita luten dhe shpresojnë në një tjetër “kiks” të Ballkanit të dielën

Dështimet e fundit të Ballkanit e kanë bërë Superligën e Kosovës më interesante. Kampioni i Kosovës nuk ka fituar në tri ndeshjet e fundit në kampionat duke i pësuar dy humbje (nga Llapi e nga Drita) dhe një barazim (me Prishtinën), transmeton "Kosova Sot Online".

Dhe, kjo ka bërë që distanca mes liderit dhe skuadrave ndjekëse të ngushtohet.

Pas humbjes së djeshme të ekipit Portokalli, Drita me trepikëshin e madh iu afrua skuadrës nga Suhareka në 5 pikë, ndonëse ekipi i Ilir Dajës e ka një lojë më pak të zhvilluar.

E po aq pikë është edhe diferenca mes Ballkanit dhe Llapit, i cili është i dyti në tabelë, me pikë të njëjta me Dritën.

Kampioni aktual i Kosovës do ta zhvillojë të dielën një tjetër ndeshje të mbetur, atë kundër Gjilanit, që i përkët xhiros së 13-të të Superligës.

Në këtë përballje dy përcjellësit e Ballkanit, llapjanët dhe gjilanasit do të jenë kokë e këmbë duke bërë tifo për Gjilanin.

Ky i fundit gjendet në zonën e barazhit dhe synon ta mbyllë vitin me një fitore për të qenë sadopak më i qetë.

Nga na tjetër, Ballkani me fitore eventuale mund ta ngritë diferencën me ndjekësit në 8 pikë, për të dimëruar me një kapital të madh.

E një humbje eventuale do t’ia prishte punët ekipit nga Suhareka pasi do ta shihte veten 5 pikë përpara Llapit dhe Dritës, derisa më pas do të na priste një pranverë mjaft e nxehtë.

Siç dihet, Ballkani është kampion i dyfishtë i Kosovës, ndërsa u tregua jashtëzakonisht i suksesshëm edhe në garat evropiane, ku e shkroi historinë.

(Kosova Sot Online )