Man City e dominoi futbollin anglez në vitin 2023

  • S.A /
  • 03 January 2024 - 09:47
Man City e dominoi futbollin anglez në vitin 2023

Krahas sukseseve të jashtëzakonshme dhe historike në garat evropiane, Manchester City e tha fjalën kryesore edhe në Angli, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ekipi i Pep Guardiolës, i udhëhequr nga super-sulmuesi Erling Haaland, që i shënoi rekord prej 36 golash, triumfoi përsëri në Premierligë duke e fituar betejën me Arsenalin, i cili u dorëzua në xhirot e fundit.

“Qytetarët” e mbyllën sezonin 2022/23 me 89 pikë, prej tyre 28 fitore, 5 barazime e 5 humbje, duke i lënë prapa “Gunners”, që në fund i kishin 84 pikë.

City e fitoi titullin e pestë në gjashtë sezonet e fundit, ndërsa ky ishte titulli i tretë radhazi për ekipin e kaltër, i cili megjithatë nuk e ka nisur edhe aq mirë edicionin 2023/24 në kampionatin anglez.

Ndërkohë, City e fitoi edhe trofeun e FA Cup pasi e mundi në finale rivalin lokal, Manchester United me rezultat 2:1.

Ilkay Gundogan i shënoi dy gola për “Citizens” për t’ia siguruar këtë trofe të çmueshëm ekipit të tij, ndërsa goli i Bruno Fernandes nga penalltia ishte i pamjaftueshëm për “Djajtë e Kuq”.

Ndërkaq, në Community Shield, respektivisht Superkupa e Anglisë, ku zakonisht përballen kampioni i Premierligës dhe fituesi i FA Cup, që në këtë rast ishte Manchester City, në këtë rast u përball me nënkampionin anglez, Arsenal.

“Topçinjtë” fituan në penallti 4:1 pasi loja e rregullt në stadiumin “Wembley” përfundoi baras, 1:1.

Cole Palmer i kaloi kampionët në epërsi në minutën e 77-të, kurse Leandro Trossard nivelizoi gjithçka në minutat shtesë për ta mbajtur në lojë Arsenalin, i cili më pas triumfoi përmes 11 metërshave. 

(Kosova Sot Online )