Superliga sjell sot dy derbi – Prishtina e pret Yllin, Peja përballet me Trepçën

  • S.A /
  • 13 January 2024 - 08:50
Superliga sjell sot dy derbi – Prishtina e pret Yllin, Peja përballet me Trepçën

Java e 17-të në Superligën e Kosovës do të hapet sot me dy ndeshje që pritet të jenë tejet interesante.

Derbi i parë do të zhvillohet nga ora 17:00, me Sigal Prishtinën që në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve e pret Golden Eagle Yllin, transmeton "Kosova sot Online ".

Të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë deri tash, duke regjistruar nga dhjetë fitore e gjashtë humbje.

Bilanc të njëjtë kanë edhe në përballjet direkte këtë sezon në kampionat. Prishtina dhe Ylli kanë nga një fitore në dy përballjet paraprake mes tyre.

Ylli renditet i treti në tabelë me 26 pikë, aq sa ka edhe Prishtina si e katërta.

Derbi tjetër i ditës së sotme dhe i kësaj xhiroje do të zhvillohet në palestrën sportive “Karagaçi” nga ora 19:00, mes kampiones në fuqi, Pejës, dhe nënkampiones nga sezoni i fundit, Trepçës.

Mitrovicasit po kalojnë formë më të mirë këtë sezon dhe janë liderë në tabelë me 30 pikë, me një bilanc prej 14 fitoreve dhe dy humbjeve.
Pejanët janë të dytit me 28 pikë, me bilanc prej 12 fitoreve dhe katër humbjeve.

Bilanci është i njëjtë sa i përket përballjeve direkte në dy ndeshjet e kaluara të këtij sezoni në Superligë.

Peja e kishte fituar derbin si vendase, ashtu siç kishte bërë edhe Trepça në “Minatori”.

(Kosova Sot Online )