Haaland e zbulon rutinën e para ndeshjeve: Luaj PlayStation, më pëlqen të shënoj me veten

  • S.A /
  • 30 January 2024 - 10:31
Haaland e zbulon rutinën e para ndeshjeve: Luaj PlayStation, më pëlqen të shënoj me veten

Erling Haaland është sot sulmuesi më i mirë në botë, i zgjedhur edhe zyrtarisht për vitin 2023.

Sulmuesi i Manchester Cityt është pyetur se cila është rutina e tij para ndeshjeve, ndërsa ka zbuluar se ai luan PlayStation lojën EA FC24 së bashku me sensacionin 17 vjeçar, Luke Littler, transmeton "Kosova Sot Online ".

Norvegjezi kështu ndihet i relaksuar para çdo ndeshjeje, ndërsa e ka pranuar se video-lojërat i ka pasion.

Gjithashtu, sulmuesi shtatlartë ka zbuluar se në këtë video-lojë e zgjedh veten pasi ndihet mirë kur “Haaland” shënon gola në PlayStation, shkruan “DailyMail”. “Unë nuk e kam ndonjë rutinë speciale”, deklaroi fillimisht ish-futbollisti i Salzburgut e i Borussia Dortmundit. “Unë mundohem të mos mendoj shumë para lojës. Normal, një natë para lojës, unë luaj me Playstation tim dhe mundohem të relaksohem sa të mundem.” “Nuk bëj diçka speciale. Më pëlqen të shënoj me veten në FC24, kjo është e tëra. Nuk bëj ndonjë gjë speciale, vetëm mundohem të relaksohem dhe të shikoj dhe të koncentrohem për lojën e radhës.” Haaland ka munguar në nëntë ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit në këmbë dhe herën e fundit është paraqitur për “Citizens” në humbjen e tyre nga Aston Villa, 0:1 më 6 dhjetor të vitit që shkoi. Përkundër mungesës së tij, City e fitoi Botërorin e Klubeve dhe po garon ende në tre fronte, ndërsa do të mundohet ta mbrojë “treshen” historike të fituar në edicionin e kaluar. Kampioni i Premierligës e sheh veten pesë pikë prapa liderit Liverpool, ndërsa ekipi i Jurgen Klopp e ka një ndeshje më shumë të luajtur. Haaland, nga ana e tij, mezi pret të kthehet dhe ta ndihmojë ekipin e Pep Guardiolës në përsëritjen e sukseseve të sezonit të kaluar. “Dua të vazhdoj të bëj njëjtë siç bëra në sezonin e kaluar, të shënoj më shumë gola dhe të fitoj më shumë trofe.” “Tash e di se si duhet ta fitoj Ligën e Kampionëve dhe Premierligën. Do të doja ta bëj këtë përsëri. Do të mundohem ta bëj më të mirën time dhe dua ta ndihmoj ekipin që ta bëjë këtë të mundur sërish.” Haaland i shënoi 36 gola në 38 ndeshjet e Premierligës në edicionin e kaluar. Në nëntor, ai u bë lojtari që e arriti më së shpejti shifrën e 50 golave në Premierligë në vetëm 48 ndeshje. Sidoqoftë, norvegjezi insiston se trofetë ishin larg më të rëndësishëm sesa arritjet personale. “Ta fitosh Ligën e Kampionëve, Premierligën dhe FA Cup ishte një gjë masive dhe një ëndërr e madhe për mua.” “Nëse do të më duhej të zgjidhja, është Champions League. Ndjenja kur e fitova ishte jo-reale, e jashtëzakonshme”, përfundoi Haaland. 

(Kosova Sot Online )