Reali ka vendosur: legjendari Modric do të largohet këtë verë pas plot 12 vjetësh

  • S.A /
  • 01 February 2024 - 13:28
Reali ka vendosur: legjendari Modric do të largohet këtë verë pas plot 12 vjetësh

Real Madridi ka vendosur: kontrata e Luka Modricit nuk do të vazhdohet. Nga sezoni i ardhshëm, mesfushori kroat nuk do ta veshë më fanellën e “Merengues” dhe do të jetë i lirë ta zgjedhë klubin e ri, transmeton "Kosova Sot Online".

Sipas informatave të siguruara nga “Cadena SER”, Modric është tashmë i vetëdijshëm për planet e së ardhmes së klubit, i cili në vitet e fundit po e rinon ekipin, mbi të gjitha në mesfushë.

Në muajt e fundit, ish-lojtari i Tottenhamit ka luajtur pak, më saktësisht në periudhën kur Camavinga e Tchoauméni ishin të lënduar.

Modric madje as nuk është thirr për t’u ngrohur në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, kundër Almerias dhe ndaj Las Palmas.

Trajneri Carlo Ancelotti ndërkohë e ka justifikuar mosftesën e tij me një thënie: “Është një legjendë, nuk është e drejt të thirret për t’u ngrohur dhe të mos futet në lojë. Mund ta bëj këtë me Arda Guler, që është i ri, por jo me të”, u shpreh trajneri italian.

Natyrisht, është e qartë se “Don Carlo” nuk e konsideron më kroatin si një titullar të padiskutueshëm: në 24 ndeshje deri tash në të gjitha kompeticionet, veterani i mesfushës ka luajtur vetëm 14 herë nga minuta e parë dhe vetëm dy herë gjatë tërë lojës.

38 vjeçari duhet ta marrë një vendim për të ardhmen.

Ai kishte oferta nga Arabia Saudite, të cilat i kishte refuzuar.

Gjithçka lë të kuptohet se ai do të vazhdojë të luajë, ndërsa do të jetë kapiten i Kombëtares edhe në Euro 2024.

E më pas do ta zgjedhë ekipin e ri, një aventurë e re pas 12 vjetësh të kaluar në Real Madrid.

“Los Blancos” i kishin investuar 42 milionë euro për ta marrë nga Tottenhami.

Së bashku me Ramos, Ronaldo, Marcelo, Benzema, Kroos e Casemiro e kanë shënuar një epokë legjendare në Madrid.

Kroati i ka fituar pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe shumë trofe të tjerë.

Kulmin e arriti në vitin 2018 kur e fitoi çmimin më të rëndësishëm individual për një lojtar, Topin e Artë. 

(Kosova Sot Online )