Granit Xhaka iu prin maestrove të mesfushës në Top 7 ligat evropiane

  • 07 February 2024 - 15:33
Granit Xhaka iu prin maestrove të mesfushës në Top 7 ligat evropiane

Granit Xhaka është njëri prej futbollistëve më të mirë në Gjermani në këtë edicion.Ylli kosovar po e udhëheq me sukses Bayer Leverkusenin në këtë edicion drejt 30 ndeshjeve pa humbje, transmeton "Kosova Sot Online".

Dhe, numrat dhe statistikat e ish-futbollistit të Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit janë mjaft impresionues.

Faqja që merret me statistika të klubeve dhe të lojtarëve “Squawka” e ka publikuar listën e lojtarëve me pasimet më të suksesshme në fazën ofanzive në Top 7 ligat evropiane në këtë sezon deri tash.

Gjithashtu, edhe detaje të tjera të pasimeve të lojtarëve të mesfushës, cilët e lidhin mbrojtjen me sulmin.

Dhe, në mesin e maestrove të mesfushës i pari është pikërisht Xhaka, me 236 pasime, i përcjellë nga Toni Kroos i Real Madridit (224) dhe Rodri i Manchester Cityt (223).

Vendimi i përfaqësuesit zviceran për t’u larguar nga Premierliga dhe për të përfunduar në Bundesligë fillimisht u kritikua, duke konsideruar se e kishte bërë një hap prapa në karrierë.

Por, tash po del se 31 vjeçari e bëri hapin e duhur dhe ai e ka marrë në dorë në fushën e blertë ekipin e Xabi Alonsos, i cili po shkon me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit në Gjermani. 

(Kosova Sot Online )