Llapi e fiton ndeshjen me rezultat të thellë, i afrohet në vetëm një pikë liderit Ballkani

  • S.A /
  • 22 February 2024 - 15:58
Llapi e fiton ndeshjen me rezultat të thellë,   i afrohet në vetëm një pikë liderit Ballkani

Skuadra e Llapit ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në udhëtim te Fushë Kosova, duke iu afruar vetëm në një pikë Ballkanit që është lider, transmeton "Kosova Sot Online ".

Llapjanët realizuan fitore me rezultatin 0:3. Që nga fillimi e deri në fund, të besuarit e Tahir Batatinës ishin dominues.

Loja e mirë e tyre u shpërblye me gol në minutën e 23-të, kur realizoi Hamdi Namani.

Ajo që vlen të ceket nga pjesa e parë është se sulmuesi i Llapit, Muhamet Hyseni shënoi tri gola dhe që të tria u anuluan për shkak të pozitës jashtë loje.

Ani pse nuk iu llogaritën golat, Hyseni nuk u dorëzua dhe në minutën e 57-të shënoi edhe njëherë, e këtë radhë të rregullt për 0:2.

Nga minuta e 65-të vendësit luajtën me një lojtar më pak, pasi Lis Demiri u ndëshkua me të kuq, pas dy të verdhëve.

Këtë e shfrytëzuan mysafirët, tre minuta më vonë, Ilir Blakqori shënoi për 0:3.

Pas kësaj fitoreje, Llapi tash ka 43 pikë për pozitën e dytë, një më pak se Ballkani që është i pari. Në krahun tjetër, Fushë Kosova mbetet e parafundit me 11 pikë.

Fitore në kohën shtesë ka realizuar Dukagjini, i cili triumfoi ndaj Lirisë me rezultatin 2:1.

Klinasit fitoren e realizuan në minutën e 105-të të kohës shtesë kur shënoi Blerind Morina.

Fillimisht Morina dështoi në penalltinë e parë, më pas u përsërit, sërish dështoi por nga topi i kthyer realizoi për 2:1.

Fillimisht për Dukagjinin realizoi gol Iljasa Zulfiji. Për mysafirët golin e realizoi futbollisti Spahiu.

Me këtë fitore, Dukagjini barazon pikët me Prishtinën nga 30 për pozitat pesë e gjashtë.

Nga ana tjetër, Liria mbetet me nëntë pikë në vendin e fundit.

Xhiroja e 22-të e Superligës luhet menjëherë këtë të shtunë dhe të diele, kryendeshja mes Llapit e Prishtinës.

(Kosova Sot Online )