Reagojnë “Skifterat”: Pazaret jashtë fushave, mos e shkatërroni futbollin

  • S.A /
  • 11 March 2024 - 12:55
Reagojnë “Skifterat”: Pazaret jashtë fushave, mos e shkatërroni futbollin

Tifozët e Gjilanit, “Skifterat” kanë reaguar ndaj situatës së fundit të krijuar në futbollin kosovar, ku temë diskutimi ishin referët.

Tifo-grupi gjilanas ankohet mbi të gjitha në gjyqtarin Gramos Shala, për të cilin thotë se qartazi dhe haptazi në mënyrën më flagrante dhe skandaloze dhe duke e përdorur edhe teknologjinë e VAR-it, e dëmtoi direkt dhe rëndë klubin e tyre, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas tifozëve gjilanas, Shala s’mund të kalojë paqtë veç me një kërkim falje, ndërsa presin nga organet kompetente që ta dënojnë atë.

“I njëjti, përveç atij referimi skandaloz i cili nuk lejon tjetër konstatim përveç se kur gjyqtari është i korruptuar, mendon ta kaloj tërë këtë me një kërkim falje kinse ishte gabim i momentit!”, shkruajnë “Skifterat”.

“Në vitin që po jetojmë, të zhvillohet një garë e korruptuar fund e krye, është turp nacional kur njifen sakrificat e gjeneratave të shumta për mbijetesën e futbollit kosovar! Ne nuk e kemi luksin për të humb dashamirë që dhurojnë mjetet e tyre për klubin tonë, prandaj mos e leni në dorën tonë mbarëvajtjen e garës, mos i dëshpëroni donatorët sepse në fund të dëshpëruar do të dilni vet! Pazaret jashtë fushave, mos e shkatërroni futbollin”, përfundon shkrimi i tifozëve të Gjilanit. 

(Kosova Sot Online )