Broja nuk dorëzohet edhe pas humbjes: Gjërat e mira vijnë në verë, kemi kohë për Evropianin

  • S.A /
  • 23 March 2024 - 08:35
Broja nuk dorëzohet edhe  pas humbjes: Gjërat e mira vijnë në verë,  kemi kohë për Evropianin

Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të këtij viti, transmeton "Kosova Sot Online".

Të përzgjedhurit e Sylvinhos pësuan humbje befasuese  në miqësoren ndaj Kilit. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, përfundoi me rezultatin 0:3.

Te Kombëtarja shqiptare sonte u paraqit edhe Armando Broja, i cili kishte munguar për një kohë të gjatë.

Ai pranoi se “Kuqezinjtë” nuk bënë paraqitje të mirë, teksa u shpreh i lumtur për rikthimin.

“Ishim pak pa fat sot. Me thënë të drejtën, nuk kemi luajtur mirë. Kili luajti më fort. Jemi të bashkuar si ekip, kemi dhe dy muaj kohë për Evropianin. E dimë që nuk janë vetëm miqësore, kemi edhe Suedinë përpara. E dimë që miqësoret janë të vështira. Po përgatitemi që të jemi me Evropianin. Mua më kënaqi rikthimi pas një viti e gjysmë. Tifozët më kënaqen, u kënaqa me ta dhe me veten. Jam në një moment që jam pa formë. Jam rikuperuar pas një dëmtimi të rëndë. Më duhen minuta që të bëhem gati, por gjithçka po shkon mirë për mua me kalimin e kohës. Sot humbëm, por gjërat e mëdha do të vijnë në verë. Gjithmonë kam luajtur pa presion, që kur isha i vogël. Për mua është e rëndësishme të rikuperohem mirë”, tha fillimit anëtari i Fulhamit për “Supersport”.

Tutje, Broja u pyet edhe si u prit nga ekipi kombëtar, si dhe për bashkëpunimin me Sylvinhon, nën urdhrat e të cilit nuk ishte paraqitur më herët.

“Shumë mirë. Unë i njoh të gjithë, jane edhe disa të rinj. Janë miqësore, është normale që trajneri të shohë lojtarë të ndryshëm. Nuk kam luajtur më parë me këtë trajner dhe këtë staf. Është gjë e bukur që po kuptohemi me trajnerin, stafin dhe shokët e skuadrës. E përsëris: gjërat e mëdha do të vijnë në verë”, shtoi 22-vjeçari.

“Unë në 100% të formës? Nuk e di, por ndihem mirë fizikisht, ndihem mirë me trupin tim. Po stërvitem mirë dhe po ndihem gjithnjë e më mirë. Po kuptohem me trajnerin dhe shokët. Shoh nga e ardhmja, dua ta harroj dëmtimin. Kam shumë cilësi për t’i përdorurur në të ardhmen”, deklaroi Armando Broja. 

(Kosova Sot Online )