23 apo 26 futbollistë në Kombëtaret e Euro 2024? UEFA i dëgjon selektorët

  • S.A /
  • 09 April 2024 - 14:44
23 apo 26 futbollistë në Kombëtaret e Euro 2024? UEFA i dëgjon selektorët

Selektorët dhe stafet e tyre përkatëse të 24 Kombëtareve që do të jenë protagoniste në Euro 2024 morën pjesë dje në “workshop UEFA” në Dusseldorf të Gjermanisë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kjo ishte një mundësi e rëndësishme për të diskutuar për disa çështje në prag të fillimit të Kampionatit Evropian.

Roberto Rosetti, drejtor gjeneral i referëve në UEFA i prezantoi disa direktiva që lidhen me arbitrimin në verën që po vjen, duke iu referuar më së shumti përdorimit të sistemit VAR, shkruan “Tuttomercatoweb”.

Euro 2024 do të jetë Evropiani teknikisht më i avancuar ndonjëherë.

E ndërkohë, gjatë këtij sesioni, UEFA e shfrytëzoi rastin për të diskutuar me trajnerët rreth temës së numrit të lojtarëve që do të ftohen në këtë kompeticion.

Ekipet kombëtare të Euro 2024 aktualisht janë të limituara me 23 lojtarë, ndërsa po diskutohet një rikthim i rregullave të vendosura para Euro 2020, kur u ishte mundësuar ekipeve t’i ftonin nga 26 futbollistë për shkak të pandemisë COVID-19.

Disa trajnerë e shprehën dëshirën që të kenë më shumë zgjedhje në dispozicion për t’u përballur me rrezikun që e shfaqin lëndimet dhe për t’ua mundësuar lojtarëve që të pushojnë më shumë.

E të tjerët e shprehën preferencën për ta bërë limitin maksimal prej 23 lojtarësh për ekip, duke nënvizuar se me këtë rast do të ishte më e vështirë të kryheshin ushtrimet dhe të menaxhohej grupi me më shumë elemente në ekip.

UEFA do ta marrë vendimin final rreth kësaj çështjeje në javët në vazhdim. 

(Kosova Sot Online )