
Ballkani dhe Kabashi në disiplinore për ofendime dhe sulm fizik

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka iniciuar procedura disiplinore ndaj FC Ballkanit dhe presidentit të këtij klubi, Arsim Kabashi.
Kabashi dyshohet se ka sulmuar fizikisht trajnerin e Fushë Kosovës, Burim Shala, pas ndeshjes të së dielës.
Për sulmin fizik nga Kabashi ishte deklaruar edhe vet trajneri i Fushë Kosovës.
“Pas lojës jam sulmuar fizikisht personalisht nga presidenti i Ballkanit, Nga Cima. Ai ma mëshoi shkelm sepse ne refuzuam t’ia lëshojmë lojën. Na thanë (Ballkani) se ju po luani për ekipet tjera. Por, unë e kam thënë edhe te ju (në Favorit) se do të luftojmë deri në fund, pa marrë parasysh se kundër kujt luajmë, do ta ruajmë nderin deri në fund. Por, si duket ata (Ballkani) janë mësuar të merren vesh ndryshe me ekipet tjera, por ne jemi të vendosur ta ruajmë korrektësinë dhe ‘fair-play’ deri në fund”, ishte shprehur Shala të dielën.
Kjo ishte mohuar nga klubi i Ballkanit përmes një reagimi zyrtar të lëshuar në po të njëjtën ditë.
Gjithsesi, FFK-ja bëri të ditur se ndaj klubit therandas është akuza e “Lëshimit në organizimin e ndeshjes”, si shkak i ofendimeve dhe sulmit fizik nga personat e paautorizuar.
Njoftimi i plotë për të dy rastet:
“Ndaj: FC ” Ballkani”. Motivi: Lëshim në organizim të ndeshjes . Pas përfundimit të ndeshjes, në koridorin e zhveshtorëve persona të pa autorizuar shajnë ofendojnë dhe sulmojn fizikisht kryetrajnerin e ekipit mysafir Burim Shala. Sipas raportit të personave zyrtar të ndeshjes Ballkani-Fushë Kosova.
“Ndaj: Kryetarit të FC ’ Ballkani” , Arsim Kabashi. Motivi: Pas përfundimit të ndeshjes në koridorin e zhveshtorëve dyshohet se ka sulmuar fizikisht kryetrajnerin e ekipit mysafir Burim Shala. Sipas raportit të personit zyrtar të ndeshjes Ballkani –Fushë Kosova”.
(Kosova Sot Online)