Reagimi i Real Madridit pas pensionimit të befasishëm të Kroosit

  • 21 May 2024 - 15:02
Reagimi i Real Madridit pas pensionimit të befasishëm të Kroosit

Faqja zyrtare e Real Madridit ka lëshuar një deklaratë pas lajmërimit të mesfushorit Toni Kroos për një pensionim të papritur këtë verë, transmeton "Kosova Sot Online".

Kroos shfrytëzoi profilin e tij në rrjetet sociale për të konfirmuar pensionimin nga futbolli i luajtur pas Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Në njoftimin e tij për pensionim, mesfushori gjerman falënderoi Real Madridin për një dekadë të lavdishme për plotë trofe.

Megjithatë, pas njoftimit të Kroos ka reaguar edhe faqja zyrtare e Los Blancos, e cila ka falënderuar Kroosin për kontributin e tij në suksesin e tyre gjatë dekadës së fundit.

“Real Madrid dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe dashurinë e tij për Toni Kroos, një lojtar që tashmë është pjesë e historisë së Real Madridit dhe që është një nga legjendat e mëdha të klubit tonë dhe futbollit botëror”.

“Toni Kroos mbërriti në klubin tonë në vitin 2014 dhe ka qenë një lojtar themelor në një nga periudhat më të suksesshme në historinë 122-vjeçare të Real Madridit”.

“Gjatë dhjetë sezoneve në të cilat ai ka mbrojtur fanellën dhe stemën tonë, ai ka fituar 22 tituj në 463 ndeshje deri më sot: 4 Liga të Kampionëve, 5 Kupa të Botës për Klube, 4 Superkupa të Evropës, 4 La Liga, 1 Copa del Rey dhe 4 Superkupa të Spanjës”.

“Përveç titujve të tij me Real Madridin, Toni Kroos u bë kampion bote me ekipin gjerman në Kupën e Botës 2014 në Brazil”.

“Toni Kroos do të mbetet përgjithmonë në zemrat e të gjithë tifozëve madrilen për përsosmërinë e futbollit të tij dhe për të qenë një lojtar që ka dhënë gjithçka për këtë fanellë, duke përfaqësuar gjithmonë vlerat e Real Madridit”, thuhet në deklaratën e Real Madridit. 

(Kosova Sot Online )