
Granit Xhaka, familja dhe rruga drejt sportit

Kryeredaktori i mediumit Blue Sport në Zvicër, Andreas Boni ka shkruar një artikull të gjatë rreth Granit Xhakës dhe familjes së tij.
Është një natë e errët në Londër. Granit Xhaka ka ulur kapelën thellë mbi fytyrë. Ai është veshur thjeshtë, me rroba të rehatshme, dhe asgjë nuk tregon për ditët e vështira që ka kaluar. Ai qesh, bën shaka, është me humor të mirë – njësoj si babai i tij, Ragipi, që e shoqëron. Ragip dhe Eli Xhaka janë mysafirë në Londër, pasi Graniti dhe bashkëshortja e tij Leonita janë bërë prindër vetëm pesë javë më parë: vajza Ayana është më e madhja nga tre vajzat e tyre.
Por lumturia private është vetëm një anë e medaljes. Graniti është edhe i lënduar e thellësisht i prekur, sepse u ofendua, u fishkëllye nga tifozët e Arsenalit dhe iu hoq shiriti i kapitenit pas reagimit të tij. Është viti 2019 – dhe askush nuk mund ta parashikonte se si ky njeri fillimisht do të rikthehej me forcë tek Arsenali dhe më pas do të udhëhiqte Bayer Leverkusen drejt titullit kampion në Bundesligë.
Për ta kuptuar Granit Xhakën, duhet të flasësh me familjen e tij. Babai Ragip, nëna Eli dhe vëllai Taulant janë gjithçka për të. Së bashku, ata janë përballur shpesh me sprova, kanë luftuar kundër vështirësive – dhe gjithmonë, por gjithmonë kanë ditur të gjejnë rrugën e suksesit.
Kur Graniti ishte ende sulmues i shpejtë
Historia familjare nis në Bazel. Më 27 shtator 1992 lindi Granit Xhaka, një vit e gjysmë pas vëllait të tij Taulant.
“Si fëmijë bënim shumë marrëzira”, thotë Taulanti: “Gjithmonë thyheshin gjëra në apartamentin tonë. Lidheshim dhjetë çorape bashkë për të bërë një top dhe luanim futboll në korridor. Njëherë madje derisa u bëra me gjak.”
Graniti e kishte goditur fort me topin prej çorapesh. “Ai ra mbi llambën, ajo u përmbys dhe më goditi në kokë, sipër syrit të djathtë. Fillova të gjakosja e qaja. Prindërit u tronditën në fillim. Por kur panë se ishte për shkak të futbollit në shtëpi dhe se u qetësova shpejt, qeshën me ne. Pas 20 minutash, luanim sërish. Shenjën mbi sy e kam edhe sot.”
Emrat e tyre tregojnë për forcën: Taulanti është quajtur sipas një mali në Shqipëri, ndërsa Graniti sipas shkëmbit të fortë.
Fëmijët Xhaka kalonin gjithë ditën duke luajtur futboll në parkun St. Johanns në Bazel. Një burrë që i shihte çdo ditë, një ditë i pyeti: “A jeni në ndonjë klub?” Kur thanë jo, ai u tha se patjetër duhej të bashkoheshin me Concordia. Dhe aty nisën: Graniti atëherë ishte sulmues, shumë i shpejtë dhe i fortë në lojën me kokë. Taulanti ishte më shumë mesfushor mbrojtës ose qendërmbrojtës – dhe kapiten.
Në shkollë, Graniti ishte më i mirë. “Duhet ta pranoj, ai kishte më pak vështirësi,” thotë Taulanti. Të dy më pas iu bashkuan FC Basel dhe që të dy ende sot mbajnë numrin 34 – sepse gjithmonë shkonin në stërvitje me autobusin numër 34.
Prindërit që nga kopshti ia jepnin çelësat Granitit – sepse Taulanti gjithmonë humbiste gjëra. “Është njësoj edhe sot,” thotë ai duke qeshur. “Prindërit i jepnin edhe paratë Granitit kur na duheshin.” Fillimisht u ofendua, por pastaj e kuptoi që ishte më mirë kështu.
I vetmi rast që grindeshin ishte PlayStation-i. “Sa herë fitonte, ishte provokues. Gjithmonë. E urrejmë humbjen të dy, por ai gjithmonë na provokonte pas fitores.”
Familja mbi gjithçka
Në vitin 2011 gjithçka ndryshoi. Graniti shkoi te Borussia Mönchengladbach, ndërsa Taulanti te Grasshoppers. Babai Ragip mori leje pa pagesë nga puna si kopshtar dhe e shoqëroi në Gjermani, fillimisht duke fjetur në një dhomë hoteli me të.
Ishte kohë e vështirë: Graniti shpesh ulej në stol, madje donte të kthehej pas një viti. Por trajneri Lucien Favre e inkurajoi të mos dorëzohej. Durimi ia vlejti: ai u pjek dhe u bë kapiten.
Në atë kohë, në jetën e tij hyri edhe Leonita, dashuria e madhe. “Ajo i bëri shumë mirë,” thotë Taulanti. “Ai gjithmonë ka dashur një familje të madhe.”
Familja gjithmonë ka qenë prioritet. Në kohën e Gladbach, Graniti kishte thënë: “Sepse gjithçka ua detyrojmë prindërve, duam t’ua kthejmë atyre – ndaj çdo muaj ua japim 80% të të ardhurave tona.”
Edhe ndeshja mes Zvicrës dhe Shqipërisë në Euro 2016, ku u përballën dy vëllezërit, ishte emocionalisht e rëndë. “Nëna mezi flinte nga emocionet. Ne folëm në telefon një ditë para: jemi kundërshtarë në fushë, por përsëri vëllezër pas ndeshjes.”
Kriza me Arsenal
Ngjarja që e shënoi më shumë ndodhi më 27 tetor 2019 kundër Crystal Palace. Tifozët e Arsenalit e duartrokitën kur u zëvendësua, pastaj filluan ta fishkëllenin. Graniti reagoi duke i provokuar, vuri dorën pas veshit, tundte kokën, dhe në fund e hoqi fanellën me nervozizëm. Madje disa media angleze thanë se lexuan nga buzët e tij “Fuck off!”.
Pas kësaj, ai u pezullua për javë, iu hoq shiriti i kapitenit dhe u sulmua personalisht. Ishte një poshtërim i madh.
“Kur pashë numrin tim në tabelën e gjyqtarit të katërt dhe dëgjova brohoritjet e tifozëve të mi, më dhembi shumë. Nuk e kuptoj as sot këtë reagim,” tha ai më vonë.
Në rrjete sociale, ofendimet shkuan shumë më tej: “Vajza jote duhet të bëhet me kancer” ishte një nga mesazhet më të ndyra. Graniti botoi një komunikatë ku theksoi se gjithçka kishte kaluar kufijtë.
“Gjithmonë kam mbrojtur fair play, respektin dhe besnikërinë. Çfarë përjetova këtu nuk ka lidhje me asnjërën nga këto,” shkroi ai.
Megjithatë, bashkëlojtarët e mbështetën dhe shumë tifozë nga e gjithë bota e dënuan sjelljen e atyre në stadium.
Historia e babait – Ragip Xhaka, luftëtari
Për të kuptuar Granitin, duhet ditur edhe historia e babait të tij, Ragipit. I lindur në Prishtinë më 1963, ai u arrestua në moshën 23-vjeçare si i burgosur politik pas demonstratave studentore kundër regjimit jugosllav.
Ai kaloi tre vjet e gjysmë në burg, u torturua çdo ditë për gjashtë muaj rresht, por nuk pranoi kurrë të “rrëfente” asgjë. Familjes ia morën punën, shtëpinë, gjithçka.
Pas lirimit, nuk kishte më të ardhme në Kosovë. U detyrua të arratisej me bashkëshorten drejt Zvicrës, ku mori azil me ndihmën e Amnesty International. Aty punoi si kamerier, ndërtues dhe më vonë si kopshtar.
“Kur erdha në Zvicër dhe mora leje qëndrimi, ishte ndjenja më e madhe e lirisë,” thotë ai.
Trashëgimia
Historia e Ragipit e shpjegon pse Graniti reagoi me shqiponjën dykrenare kundër Serbisë në Botërorin 2018. “Ishte thjesht emocion, jo politikë,” thotë Ragipi.
Sot, Graniti është bërë rekordmen me Zvicrën, një legjendë e Arsenalit dhe më pas udhëheqës i Bayer Leverkusen, me të cilin fitoi titullin në Bundesligë në 2024. Ai tashmë mendon për të ardhmen si trajner.
“Për mua dhe Taulantin, gjëja më e madhe është të shohim krenarinë në sytë e prindërve tanë. Gjithmonë kemi dashur t’ua kthejmë atyre sakrificat. Dhe besoj se deri tani e kemi bërë mirë – dhe shpresojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen,” thotë Graniti.
(Kosova Sot Online)