Allegri është shprehur se sezoni i Milanit nis zyrtarisht

  • A.P /
  • 13 September 2025 - 16:19
Allegri është shprehur se sezoni i Milanit nis zyrtarisht

Massimiliano Allegri është shprehur se sezoni i Milanit “nis sot”, teksa skuadra e tij përgatitet të presë Bolognan në “San Siro”.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri italian analizoi situatën e kuqezinjve pas dy javëve të para të Serie A dhe foli për lojtarët kryesorë që do të kenë rol këtë edicion.

Fillimi i ri pas pushimit ndërkombëtar

Milan u rikthye nga ndërprerja e kombëtareve pas një starti të luhatshëm: një humbje 2-1 në shtëpi ndaj Cremoneses dhe një fitore bindëse 2-0 në transfertë kundër Lecce. Allegri theksoi se tashmë skuadra duhet të tregojë stabilitet:

“Sezoni praktikisht fillon sot. Përballë kemi Bolognan, që nuk është më një surprizë, por një ekip i konsoliduar në zonën e sipërme të tabelës. Kanë shpejtësi, teknikë dhe intensitet. Ne humbëm ndeshjen e parë në shtëpi duke pësuar dy gola të evitueshëm. Nesër duhet të bëjmë më mirë,” u shpreh ai.

Objektivi: Champions League

Allegri pranoi se nuk është e lehtë të thuhet nëse Milani është gati për t’u përballur me objektivat madhorë, por konfirmoi se qëllimi kryesor është kthimi në Ligën e Kampionëve.

“Nuk e di nëse jemi gati, por duhet të fitojmë. Klubi ka bërë një punë të mirë, kemi një përzierje të rinisë me përvojën. Do të jetë një rrugëtim i vështirë, por synimi është të rikthehemi në Champions.”

Problemet me dëmtimet: Leao mungon

Trajneri konfirmoi mungesën e yllit portugez Rafael Leao, i cili do të humbasë sfidën me Bolognan dhe me shumë gjasa edhe ndeshjen ndaj Udineses.

“Leao ka një problem me muskujt e pulpës, shumë i rrezikshëm si dëmtim. Nuk do të jetë nesër dhe as në Udine. Estupinan është gati, Pulisic gjithashtu është mirë.”

(Kosova Sot Online)