Manchester United po përjeton nisjen më të dobët të kampionatit

  • A.P /
  • 18 September 2025 - 15:20
Manchester United po përjeton nisjen më të dobët të kampionatit

Manchester United po përjeton nisjen më të dobët të kampionatit në 33 vitet e fundit dhe presioni mbi ekipin e Ruben Amorim-it po rritet dita-ditës. Për më tepër, mediet britanike raportojnë se një largim i mundshëm i trajnerit portugez do t’i kushtonte shtrenjtë klubit.

Amorim u zyrtarizua si trajner i “Djajve të Kuq” më 1 nëntor të vitit të kaluar, duke lënë Sportingun për të firmosur deri në vitin 2027, me opsion për një vit shtesë. Sipas ‘Daily Mail’, nëse United vendos ta shkarkojë para datës 1 nëntor të këtij viti, do të duhet t’i paguajë 12 milionë paundë (rreth 13,8 milionë euro) si dëmshpërblim.

Megjithatë, vetë Amorim muaj më parë kishte deklaruar se nuk e shihte paratë si pengesë për një largim të mundshëm. “Në këtë moment kërkoj besim, por jam gjithmonë i hapur. Nëse drejtuesit dhe tifozët mendojnë se nuk jam njeriu i duhur, unë largohem ditën tjetër pa asnjë diskutim për kompensim. Por nuk do të dorëzohem,” kishte thënë ai në maj.

Nëse do të ndodhte shkarkimi, Amorim do të bëhej trajneri i gjashtë që largohet nga United pas epokës së Sir Alex Ferguson, duke iu bashkuar listës së David Moyes, Louis van Gaal, José Mourinho, Ole Gunnar Solskjaer dhe Erik ten Hag.

(Kosova Sot Online)