Ish-futbollisti i Liverpoolit: Vdekja e Jotas ka lënë pasoja të thella

  • A.P /
  • 31 October 2025 - 15:00
Ish-futbollisti i Liverpoolit: Vdekja e Jotas ka lënë pasoja të thella

Vdekja tragjike e Diogo Jota-s, vetëm 28 vjeç, po vazhdon të lërë pasoja të thella emocionale në skuadrën e Liverpoolit dhe në atmosferën e Anfieldit, sipas ish-mbrojtësit të klubit, Stephen Warnock.

Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva (25 vjeç), humbën jetën në një aksident automobilistik në Spanjë më 3 korrik, duke tronditur botën e futbollit dhe klubin anglez.

Warnock, që ka luajtur 42 herë për Liverpoolin mes viteve 2002–2007, tha për BBC Radio 5 Live se lojtarët ende po e përjetojnë hidhërimin, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në performancën e ekipit.

“Kjo është një skuadër që po vajton. Si mund të përshtaten lojtarët e rinj në një ambient të tillë? Është një situatë e tmerrshme. Çdo herë që shkoj në Anfield, në minutën e 20-të dëgjohet kënga e Jota-s dhe menjëherë pas saj vërej se loja bie për 5-10 minuta. Është e pamundur të mos ndodhë – janë njerëz, jo makina.”

Tifozët e Liverpoolit këndojnë këngën e Jota-s në minutën e 20-të të çdo ndeshjeje, dhe Warnock beson se ky kujtim i vazhdueshëm po e bën të vështirë për lojtarët që të fokusohen plotësisht.

“Në dhomën e zhveshjes, dollapi i Jota-s ende qëndron aty. Është një kujtesë e përditshme e dikujt që kanë humbur. Disa mund ta përballojnë më lehtë, por për disa të tjerë është barrë e rëndë emocionale.”

Liverpooli ka pësuar gjashtë humbje në shtatë ndeshjet e fundit, dhe shumë analiza janë bërë për rënien e formës, por Warnock thotë se ndoshta procesi i zisë është arsyeja më e madhe e vërtetë që po ndikon në skuadër.

(Kosova Sot Online)