Mirlind Daku ua siguron strehimin për dy vjet një familjeje
Rrëfimi për kushtet e rënda të jetesës së një familjeje pesë anëtarëshe që jetonte në baraka në Fushë Kosovë, i publikuar në Reporteri, ka prekur zemrat e shumë qytetarëve, mes tyre edhe futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku.
Pasi e ka ndjekur rrëfimin, Daku ka kontaktuar redaksinë dhe ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë familjen e Arbëreshë dhe Brahim Latifit, duke ua paguar qiranë dhe shpenzimet e banimit për dy vite. Falë kësaj ndihme, familja tashmë jeton në kushte dinjitetshme.
Kryefamiljari, Brahim Latifi, e ka falënderuar publikisht futbollistin, duke thënë se jeta e tyre ka marrë një kthesë të madhe.
“Faleminderit Mirlind Dakut që ma ka paguar qiranë. Zoti e shpërbleftë e mos e humbtë kurrë. E keni parë gjendjen tonë pa rrymë. Tash është shumë mirë. Më duket sikur kam qenë i vdekur e jam ringjallur. Pesë vjet kemi jetuar në atë barakë. Zoti e ruajtë futbollistin tonë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se tani ndihet shumë më i lumtur. Edhe bashkëshortja e tij, Arbëresha, tha se Daku ua ka ndryshuar jetën.
“Faleminderit Mirlind Dakut që na e ka gëzuar jetën. Më së pari i ka gëzuar fëmijët. Gjithçka ka ndryshuar. Më duket sikur kam lindur prapë”, tha ajo.
Arbëresha tregoi se shtëpia e re ndodhet afër shkollës dhe tani i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për jetesë.
“Send nuk na mungon. Vetëm na mbetet t’ia kthejmë një ditë. Unë nuk mundem, por Zoti inshalla ia kthen”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se nuk e kishte besuar kurrë se jeta e saj mund të ndryshonte kaq shumë për të mirë.
Më pas, gazetarja Leonora Kolukaj realizoi edhe një video-telefonatë me futbollistin Daku, duke e lidhur atë me familjen Latifi, të cilët e falënderuan personalisht. Daku u uroi shëndet dhe jetë të mirë, ndërsa zonja e shtëpisë e quajti atë “vëlla”.
“Edhe pasi e dhashë ndihmën nuk doja të dilja publikisht, por dola që të vetëdijësohen njerëzit se me pak gjëra mund t’i bësh të tjerët të lumtur”, tha Daku.
(Kosova Sot Online)
