Beyonce rrëmben vëmendjen sepse thjesht mundet!

  • G.G /
  • 20 February 2021 - 12:12
Beyonce rrëmben vëmendjen sepse thjesht mundet!

Beyonce duket se po përdor superfuqitë vetjake për të promovuar linjën e veshjeve sportive, Ivy Park. Rroba nga koleksioni i saj i ri janë veshur nga vetë ylli i muzikës, e cila ka ekspozuar format e saj të shumëpëlqyera ndër vite.

Një mënyrë perfekte për të joshur blerësit dhe për të tërhequr vëmendjen, e ka cilësuar shumëkush setin fotografik të artistes, që reklamon siluetën ndjellëse femërore. Përpos çizmeve ekstravagante dhe trupores latex nuk mund të mos binte në sy gjerdani me diamante.

Më herët, Beyonce nxiti interes përmes tre fotografive, ku shfaqte një kombinim interesant. Artistja mbante veshur një kostum të pambuktë me viza, xhaketë dhe taka nga Ivy Park, në bashkëpunim me Adidas-in. Dy javë më parë ajo publikoi një video të koleksionit dimëror Icy Park, ku ndër modelet e tjera u shfaq edhe Hailey Bieber. Fushata përfshiu gjithashtu Gucci Mane-n dhe këngëtarin Kaash Paige, ku përveç veshjeve dhe aksesorëve të dimrit, u ekspoyuan edhe stile të reja këpucësh, të atleteve Ultra Boost, Forum Lo, Forum Mid dhe Super Sleek.

Javë më parë,  Beyonce çmendi ndjekësit me një postim në rrjetet sociale. Ndërsa të gjithë prisnin me padurim ardhjen e vitit 2021, ylli i “Lion King” publikoi një video të veçantë në Instagram, që nxori në pah jo vetëm momentet e paharrueshme të tyre gjatë 2020-ës, por edhe pamje të papublikuara më herët të fëmijëve të saj dhe Jay-Z.

Në klip, Rumi shihej duke kërcyer nën ritmet e “Savage Remix”…

“Gëzuar për një Vit të Ri sa më të mbarë! 2020 na ndau dhe na bashkoi. Shumica nuk mundi të shihte njerëzit e dashur dhe patëm shumë humbje, por ishim më të njerëzishëm. Ky vit për mua ka qenë viti i gëzimit, lumturisë dhe dashurisë. Ndërsa të gjithë ne presim dhe lutemi për fillime të reja, dëshira ime për ju është që ju të nderoni veten dhe ata që doni. Për një 2021-sh më të mirë dhe më të ndritshëm!”

(Kosova Sot Online)