Ky shtet nuk do të marrë pjesë në “Eurovision” sepse shpenzimet do t’i përdorë për energjinë

  • G.G /
  • 15 October 2022 - 08:19
Ky shtet nuk do të marrë pjesë në “Eurovision” sepse shpenzimet do t’i përdorë për energjinë

Maqedonia e Veriut ka marrë një vendim së fundmi lidhur me “Eurovision 2023”. Tashmë Maqedonia e Veriut nuk do të marrë pjesë në kompeticionin e njohur muzikor. Ky lajm u bë me dije nga vetë drejtori i Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut, Marjan Cvetkovski.

Cvetkovski ka thënë se nuk kanë paguar tarifën e regjistrimit. Më tej, u theksua se të gjitha shpenzimet do të përdoren këtë vit për pagesën e energjisë elektrike.

Ja deklarata e drejtorit të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut:

“Po, ne nuk do të marrim pjesë në Eurovizion. Nuk kemi paguar tarifën e regjistrimit. Problemi më i madh është rryma dhe kostot e larta, të cilat do të dalin nga udhëtimi dhe qëndrimi në Britaninë e Madhe. Për shkak të kësaj situate janë reduktuar të gjitha shpenzimet, kështu që edhe ato që është dashur të paguhen për pjesëmarrje në Eurosong i kemi alokuar për pagesën e energjisë elektrike”.

Kujtojmë që Shqipëria u përfaqësua këtë vit nga Ronela Hajati, e cila mori një lum komentesh pozitive por edhe kritika për performancën e saj.

Ronela asokohe kërkoi që njerëzit mos të shpërndajnë urrejtje dhe negativitet nëpër komente.

“Ok…. Kjo është gjëja e fundit që do të flas për Eurovisionin. Ajo ishte një nga eksperiencat më të bukura të jetës time. Pasi u skualifikuam, vrapova tek balerinët e mi, u përqafuam dhe dolëm për të kërcyer. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm, artistë që i dua shumë! Dhe për fansat e mi: Më pëlqen njerëzimi dhe kemi ardhur në këtë botë për ta bërë jetën më të bukur. Ju lutem ndaloni së shpërndari urrejtje, negativitet në komente. Muzika është bërë për t’i bërë njerëzit të bien në dashuri, të kërcejnë dhe të harrojnë problemet. Njerëzit kërcyen me këngën “Sekret”, inskenim i mirë ose jo, dhe ajo ishte çfarë unë kisha ëndërruar dhe më shumë.”- ka shkruar më herët Ronela.

(Kosova Sot Online)