Elia Zaharia reagon pasi Prokuroria kërkoi burg për të dhe Princ Lekën

  • A.P /
  • 14 November 2024 - 13:03
Elia Zaharia reagon pasi Prokuroria kërkoi burg për të dhe Princ Lekën

Prokuroria e Tiranës ditën e sotme ka kërkuar në gjykatë që Princ Leka Zogu të dënohet me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”, për ngjarjen e ndodhur në Oborrin Mbretëror muaj më parë. Ky dënim, sipas organit të akuzës duhet të konvertohet në shërbim prove, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Gjithashtu Prokuroria e Tiranës në pretencën e dhënë kërkon edhe dënimin me 6 muaj burg për ish-bashkëshorten e Lekës, aktoren Elia Zaharia, si dhe 1 vit për ish-vjehrrin Gjergj Zaharia. Ashtu si për Princin, edhe për Elian dhe babain e saj, organi i akuzës kërkon vënien në shërbim prove.

“Unë jam mirë! Sot ish prezent pas çeljes së panairit dhe do të jem për 3 ditë me radhë në ndjekje të përditshme.

Por, përtej promovimit të aktivitetit një koment për vendimin? Unë sot pata kënaqësinë dhe privilegjin të prezantoj çeljen e panairit të 27 të librit.

Komenti që kam është që i ftoj të gjithë në këto 5 ditë feste në ngjarjen më të madhe kulturore në vend! Libri është miku më i mirë, të mundëson të jetosh shumë jetë.”

E pyetur sërsh mbi vendimin e sotëm nga Prokuroria e Tiranës, Elia Zaharia thotë se çështja është në gjykim ende.

Më vjen keq, por nuk kam koment! Çështja është në gjykim e unë respektoj në heshtje procesin!

Princ Leka, ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i kësaj të fundit, Gjergj Zaharia akuzohen për dhunë në familje.

Hetimet nisën pas publikimit të një video dhe kallëzimit në prokurori për dhunë në familje. Më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se çifti, prindër të një vajze të vogël, kanë vendosur të ndahen pasi kanë pasur konflikte të vazhdueshme, mungesë komunikimi dhe se kishin ndërprerë bashkëjetesën.

Konfliktet e çiftit u bënë publike pas qarkullimit të një videoje, ku Leka, babai i Elias dhe vetë ajo, konfliktoheshin fizikisht mes tyre. Ndërkohë pas këtyre pamjeve, ata përfunduan në Gjykatë, me urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit.

Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për nxjerrjen e sekretit hetimor, pas publikimit videos së bujshme në Oborrin Mbretëror.

Më herët Princ Leka hodhi dyshime se kjo video është nxjerrë nga struktura e Policisë, apo dhe vet nga Prokuroria. Mirëpo, këto pretendime të Princit janë hedhur poshtë pasi organi i akuzës ka dalë në konkluzion se kjo video ka dalë nga vetë Princi, i cili ishte krijuesi dhe poseduesi i këtij materiali filmik.

Image

(Kosova Sot Online)