Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare

  • G.G /
  • 17 August 2020 - 14:53
Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim njohës Këshillin e ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në përbërje të Osman Gashi, Bejtullah Destani, Bukurije Haliti dhe Feim Hoxha, përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim u diskutua rreth punës, përgjegjësive dhe bashkëpunimit mes MKRS-së dhe BKK-së. Ndër çështjet që u biseduan ishin, forcimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, procesi i digjitalizimit, shpërndarja e librit dhe forcimi i mëtejmë i politikave për librin, duke rritur krijimtarinë, cilësinë botuese dhe qarkullimin e librit.

Ndër temat që ministrja Dumoshi përmendi ishte dhe themelimi i Qendrës së Librit, si një institucion në nivel kombëtar, i cili do të ketë në përgjegjësitë e tij, kontrollin e botimeve, aspektin e përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja dhe anasjelltas, ndër shumë përgjegjësi tjera.

Ministrja Dumoshi tha se pret një bashkëpunim me Këshillin Drejtues të BKK-së me qëllim të avancimit të bibliotekarisë në Kosovë. Ajo tha se Këshilli Drejtues janë ura lidhëse mes ministrisë dhe institucionit kryesor të bibliotekarisë në Republikën e Kosovës. Ministrja i njoftoi anëtarët e Këshillit me planet dhe veprimet konkrete që MKRS-ja do të ndërmerr në avancimin e infrastrukturës ligjore e fizike të bibliotekave në vendin tonë.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të BKK-së e falënderuan ministren Vlora Dumoshi për pritjen. Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar konform dispozitave rregulluese që institucionin e bibliotekës ta mbajnë në drejtimin e duhur dhe të rrisin kapacitetin për promovimin, kultivimin dhe ruajtjen e librit.

(Kosova Sot Online)