Flasin artistët më të kërkuar në dasmat shqiptare: Ky vit si thotë populli shkoftë e mos u ktheftë

  • A.P /
  • 31 December 2020 - 21:35
Flasin artistët më të kërkuar në dasmat shqiptare: Ky vit si thotë populli shkoftë e mos u ktheftë

Për shkak të shtimit të rasteve të të infektuarve me viusin COVID-19, më 1 Korrik të vitit 2020, Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndalojë organizimin e tubimeve me më shumë se 50 persona.

Sipas vendimit, ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtarit fetare (përveç familjes së ngushtë) si dhe çfarëdo formë tjetër e organizimit më përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.Masat e reja ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Lidhur me këtë çëshje për gazetën "Kosova Sot Online", kanë folur artistët më të kërkuar nga dasmorët për ahengjet e tyre familjare, si: Shkurte Fejza, Mihrije Braha, Miranda Hashani, Remzie Osmani, Mahmut Ferati, Shaqir Cërvadiku, Vjollca Buqaj, Rifadije Grajçevci, Edi Krasniqi, Merita Bunjaku, Naim Abazi.

Image

Shkurte Fejza: Ky vit si thotë populli shkoftë e mos u ktheftë. Vit me shumë pasoja në aspektin ekonomik për të gjithë popullin por edhe për ne në veçanti. Unë lirisht mund të them ishe viti zero sepse u anuluan të gjitha aktivitetet dhe na ka dëmtuar shumë materialisht por prap me rëndësi është shëndeti. Pandemia na ka penguar në punë me publikun, por jo edhe në krijimtari sepse kam realizuar disa këngë, ks theksuar Fejza, për Kosova Sot Online. Në fillim kam qendruar në Prishtinë dhe pas një muaji kam shkuar në fshat në Mushtisht dhe atje kam qëndruar gjatë gjithë Verës deri në Vjeshtë. Tani jam prapë në Prishtinë sepse duhej realizuar këngët por edhe punët tjera dhe bashkimi me femijet. Urojë që të kalojë më në fund dhe t’i kthehemi normalitetit.

Image

Mihrije Braha: Në fillim ishte e vështirë për ta besuar, por pasi që e kuptova sa i rrezikshëm është ky virus, u pajtova me realitetin edhe pse nuk do ja dëshiroja askujt në botë por e gjithë bota e preku realitetin e hidhur të pandemisë COVID-19.

Image

Miranda Hashani: Ky vit ishte i vështirë për të gjithë ne. Duheshte që ti adaptohemi disa kushteve që deri para pandemisë se kishim menduar që do na vinin kohë të tilla.Unë me familjen time jetoj në Gjermani në një fshat të vogël të rrethuar me male e një kohë të mirë e kemi kaluar në natyrë. Kontaktet tona me njerëz këtu kanë qënë të pakta, sepse jemi të ardhur të ri këtu e ende nuk kemi krijuar një rreth të gjërë shoqërie. Duke jetuar këtu, kam patur disa dasma, mbrëmje familjare e organizime të ndryshme sepse këtu tani vonë u ndaluan, nuk ishte si në Kosovë e Maqedoni që u anulua çdo aktivitet muzikorë që në fillim të pandemisë.

Image

Mahmut Ferati: Viti 2020, ka qenë një vit plotë sfida për të gjithë botën. Për mua ka qenë një vit jo i bujshëm në aspektin profesional, jo profitabil, megjithatë na ka mundësuar të gjithëve që ti përkushtohemi me shumë familjes. Mirëpo, me krijimin e këngëve nuk kam ndaluar, pasi që janë lansuar disa projekte të reja gjatë këtij viti. Shpresojmë që viti 2021, do të jetë një vit i mbarë, të gëzojmë shëndet dhe ti kthehemi normalitetit të jetës.

Image

Vjollca Buqaj: Ky vit, ka qenë një ndër vitet më të rënda të jetës sime, mbyllja, maskat, distanca, panika, virusi perballja me humbje të njerëzve që i njohim dhe si njohim, mungesa në aktivitete etj, thjeshtë mos u përseritë asnjëherë!

Image

Remzie Osmani: Normal, kjo situatë që po e kalojmë, inshallah nuk kthehet kurrë më edhe si thotë një fjalë popullore "Mos na raftë me harru".Kam kënduar deri më 9 Mars, pastaj me datë 13 veq u mbyllëm, nuk kam kënduar më, normal nëpër emisione kam marrë pjesë diku diku, pastaj tani për festa të fundvitit. Sa i përket dasmave, unë për vete po them se më rëndësi është që të jemi shëndoshë, por jo që po ndalen njerëzit, por dhashtë Zoti të mos përsëritet më dhe të kthehemi në normalitet dhe ta vazhdojmë jetën ndodhi si ndodhi nuk kem çfarë të bëjmë.

Image

Shaqir Cërvadiku: Mbremja e fundit, ishtë për festën e grave 8 marsin në Liege të Belgjikës.Të gjitha mbrëmjet e dasmat u anuluan për ta mbrojtur shëndetin e njerzëve.Vërtetë pandemia na e ka komplikuar jetën.Tërë botën e ka çrregulluar.Gjatë pandemisë jam përkujdesur për fëmijet e familjen.Kohën tjetër jam munduar ta shfrytëzoj për të krijuar këngë të reja.

Image

Edi Krasniqi: Përkundër vështirësive në punë, kohën e pandemisë e kam shrfrytëzuar në studio me projekte të reja, të cilat shumë shpejt do ti bëjme publike. Korona Virusi i ndalojë punën gjithë Globit, ne mbetet vetëm ti lutemi Zotit ta kemi shëndetin dhe të besojmë se sa më shpejtë të kthehemi në normalitet.

Image

Merita Bunjaku: Ky vit, bashkë me pandeminë që e shoqëroi nuk ishte jo vetëm produktiv por edhe shumë stresues dhe fatal për shumë njerëz kudo në botë, kështu që më e pakta që e kam menduar gjatë kësaj periudhe, kanë qenë organizimet muzikore. Unë personalisht projektet që i kam pasur në plan i kam realizuar por normal me kufizime dhe jo në afatet që unë i kisha planifikuar, ka deklaruar Bunjaku për Kosova Sot Online. Izolimi fillimisht si rregull kufizues të krijon një ndjenjë jo të mirë por unë nuk jam prej atyre personave që dorëzohem lehtë, përkundrazi mundohem që në çfardo situate të krijoj atmosferë të ngrohtë kudo që gjindem. Kënaqësia më e madhe në jetë për mua ishte të ndajë kohën më të madhe me anëtarët e familjes. Nuk mund ta injoroj dhe ta lë pa e përmendur edhe atë ndjesinë e ftohtë e që është mungesa e kontakteve me miqtë e me kolegët e mi.

Image

Rifadije Grajçevci: Ky vit ka qenë i vështirë për të gjithë, për mua përveç anës negative që nuk kam punuar, ka pasur edhe anën pozitive, e kam kaluar gjithë kohën me familje, diçka që më ka munguar.

Image

Naim Abazi: Covid 19 erdhi si një murtajë, si një pandemi biblike që tronditi botën, e sfidojë shkencën dhe dridhi ekonominë e politiken. Për fatin e keq Kosova s’po këndellet edhe në ditë të mira e lëre më në Pandemi, ka thënë Abazi për Kosova Sot Online.Unë për vete kam punuar dhe s’ kam ndaluar edhe pse çdo gjë ka rënë shumë për tokë. Kam realizuar emisionin edhe me dy veta edhe më me shumë veta më vonë. Po sigurisht që koncertet, mbrëmjet dhe dasmat janë baza kryesore e ekzistencës tonë dhe e komunitetit që ne i takojmë. Do ketë një këndellje, Zoti do na ndihmojë dhe do të ia dalim. Unë jam shumë optimist.


(Kosova Sot Online)