Naim Abazi: Për fatin e keq Kosova s’po këndellet edhe në ditë të mira e lëre më në Pandemi

  • A.P /
  • 03 January 2021 - 16:19
Naim Abazi: Për fatin e keq Kosova s’po këndellet edhe në ditë të mira e lëre më në Pandemi

Intervistë me këngëtarin NAIM ABAZI

Jo vetëm këngëtar i njohur, por edhe moderator shumë i sukseshëm, fjala është për Naim Abazin, i cili tash e sa dekada në skenë ia thotë shkëlqyer këngës, por në të njejtin nivel qëndron edhe në moderim, derisa ka vite që ai e drejton emisionin "Odeon" duke gërshështuar një laramani temash brenda tij.

Image

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtari Naim Abazi, shpalos shumë të pathëna rreth jetës dhe karrierës: Cila është historia e hitit "Vjen një letër nga Kosova", Në cilin spektakël i flenë zemra Naimit, Cilën ngjarje nga fëmijëria e kujton, për këto dhe shumë tema të tjera, ju ftoj ta lexoni intervistën në vijim.

“Kosova Sot Online”: I nderuari Naim, kur e dëgjoni këngën “Kosova ime” e lansuar në vitin 1998, çfarë iu bie ndërmend?

Naim Abazi: Kur kujton atë vit të lirisë, të luftës dhe të sfidës më të madhe të shqiptarëve, kujtesa është plot me ngjarje të mëdha! Në këtë vit veç kishim hyrë me lajmet për të vrarët jo si emra por si numra. Megjithatë populli kishte dhënë kushtrimin dhe ishim nisur në rrugën e vështirë drejt lirisë. Çdo kush mundohej të bëhej pjesë e sakrificës, pjesë e lirisë. Kisha shkruar një tekst në të cilin mundohesha të identifikoja shenjtërinë e luftës për liri dhe të UÇK-së. E realizova me Mihrijen, Armendin, Aiden dhe e regjistrova te Enis Presheva në Mitrovicë. E bëra klip që edhe sot njihet si supermeni por që bëri bujë gjithandej ku ishin Shqiptarët. Kënga shkoji dhe u lansua si kontribut për luftën, dhe të gjitha shitjet shkuan për luftën për UÇK-në. Kënga titullohej “Kosova ime”.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë pesë këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Naim Abazi:“Maturantë” , “Vjen një letër nga Kosova” , “Lujma lujma” , O m’ka lindë një djalë” , “ Kosova ime”.

Image

“Kosova Sot Online”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Naim Abazi: Kam shumë nostalgji për kohen për fëmijërinë pa brenga, kam nostalgji për veprat e lexuara dhe sinonimizimin me heronjët e atyre veprave. Ngjarja më e bukur ka qenë shembull fitorja në kuize ku kam qenë si një lloj kampioni. Kam nostalgji edhe për rolin e Murrashit te drama “Toka Jonë” dhe atë si nxënës i klasës së pestë. Kam nostalgji për plotë shokë e shoqe që më pasë kurrë si kam parë!

Image

“Kosova Sot Online”: Jeni ndër moderatorët e parë që keni moderuar emisione, shou e festivale, por në cilin spektakël i flenë zemra Naimit?

Naim Abazi: Jam nga të parët e pasluftës, përndryshe Kosova ka patur shumë drejtues emisionesh e shoë mana të kalibrit të lartë si Hys Shkreli, Hivzi Krasniqi e përplot të tjerë. Mua më fle dhe e di si vepër timen “Odeonin. Kjo për faktin se është një spektakël i plotë me hyrje, shtjellim dhe konkluzion prej një spektakli. Aty ke modelët e jetës në të gjitha lëmitë e sidomos nga bota e dijes dhe krijimit. Ke këngë, ke karriera, ke humor dhe interaktivitet dinamik.

Image

“Kosova Sot Online”: Si e gjithë bota edhe Kosova, po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj Naimi, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan në trojet shqiptare?

Naim Abazi: Covid 19 erdhi si një murtajë, si një pandemi biblike që tronditi botën, e sfidojë shkencën dhe dridhi ekonominë e politiken. Për fatin e keq Kosova s’po këndellet edhe në ditë të mira e lëre më në Pandemi. Unë për vete kam punuar dhe s’ kam ndaluar edhe pse çdo gjë ka rënë shumë për tokë. Kam realizuar emisionin edhe me dy veta edhe më me shumë veta më vonë. Po sigurisht që koncertet, mbrëmjet dhe dasmat janë baza kryesore e ekzistencës tonë dhe e komunitetit që ne i takojmë. Do ketë një këndellje, Zoti do na ndihmojë dhe do të ia dalim. Unë jam shumë optimist.

Image

“Kosova Sot Online”: “Vjen një letër nga Kosova”, mbetet një prej hiteve të karrierës, e cila bëri bujë ndër vite, na kujtoni historinë e realizimit të saj?


Naim Abazi: Kënga hit, e besa edhe një lloj himni i dhëmbjes, ka një histori të panjohur për mua por edhe për të tjerët. Është këngë e vjetër pa autorë që është kënduar nga folkloristët. Në verën e viti 1994 kisha bërë një hit si këngën Maturantë që më kërkohej gjithandej. Duke e dëgjuar në një kasetë të vjetër këngën “Vjen një letër nga Kosova” , gjatë një dasme u thashë instrumentalistëve të mi, se do ta provojë një këngë që se keni dëgjuar dhe ta shohim si po tingëllon. Kur fillova ,me një pasthirmë Oooo vjen një letër, sikur e ndjeva se do ndizte fortë . U habiten të gjithë dasmorët dhe pastaj gjatë asaj mbrëmje e kam kënduar nja 20 herë me kërkesen e dasmorëve.S’më pritej e nesërmja që të shkoja në studio te Xhevdet Gashi dhe e realizuam! U bë një hit i madh të cilin kur e këndoja sidomos në Perendim behej nami, dhe në të njëjten kohë këndohej dhe qahej. Mbajë mend sallat me nga 3000, 4000 e besa deri 12000 shikues këndonin me mua. Bija në gjunjë, mbyllja sytë dhe kur i hapja shihja njerzit të ekzaltuar por edhe me lotë në sy. Këngë me shumë mall e dhembje brenda. Edhe kohë të vështira, ishim lodhur e mërzitur shumë nga robëria. Njerëzit nuk vinin me vite në Kosovën e tyre. Kendohet shume edhe sot, në çdo koncert apo mbrëmje dhe dasem.

Image

“Kosova Sot Online”: Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t'i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?!

Naim Abazi: Oh! Më dhemb shpirti për humbjen e tyre! Por jeta na sjellë e na merrë! Këta artistë shumë i kanë dhënë atdheut dhe pakë ose fare nuk i kanë marrë. Zoti do i bekojë atje ku janë, se ata kulturën e kanë bërë kulturë dhe identitet Kombetarë. Harrimi i tyre do të na hakmerrej andaj nëse si kemi trajtuar si duhet, ti falenderojmë për atë çfarë kan bërë e ata kanë bërë shumë shumë shumë. Edhe shteti edhe shoqëria duhet të bëjë shumë më shumë, për artistët dhe të mos kujtohemi vetëm kur i humbim.

Image

“Kosova Sot Online”: Disa fjali të juaja i përdorim edhe ne gazetarët, mua më intereson ta di gjenezen e fjalisë: Për ju, për ne, të gjithë?

Naim Abazi: Ha,ha,ha (Qeshet), po tendenca pozitive që të bësh diçka të bukur, tërheqë edhe tendencen për ta proklamuar dhe deklamuar atë me qellimin që të duket , të shijohet dhe të kapet. Diçka e bukur bëhet PËR JU, PËR NE, PËR TË GJITHË! Sigurisht që kjo e ka bazën edhe te të lexuarit dhe tek dëshira për të thënë e për të dhënë më shumë dhe më mirë.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë tri gjërat që ëndërron t'i ralizosh deri në fund të jetës?

Naim Abazi: Doktorata, edhe pse nuk e kam me çdo kusht, Politika dhe vazhdimësia e punëve me të cilat pretendojë të ndryshoj diçka në të përceptuarit e jetës dhe kualitetit të saj.

Image

“Kosova Sot Online”: Për fund, cila është motoja dhe urimi i Naim Abazit për Vitin e Ri 2021

Naim Abazi: Kam shumë për të uruar por rëndësi ka shendeti dashuria respekti dhe puna! Zoti na bekoftë të gjithëve. Urime 2021!

Intervistoi: Armend Preteni

Image
Image

(Kosova Sot Online)