Shaqir Cërvadiku: Sot po promovohen këngë me muzikë e tekste të çoroditura që ndikojnë keq tek rinia dhe edukimi i tyre muzikor e njerëzor

  • A.P /
  • 03 January 2021 - 15:20
Shaqir Cërvadiku: Sot po promovohen këngë me muzikë e tekste të çoroditura që ndikojnë keq tek rinia dhe edukimi i tyre muzikor e njerëzor

Intervistë me këngëtarin SHAQIR CËRVADIKU

Një nga emrat më të njohur të muzikës popullore, padyshim se është edhe këngëtari Shaqir Cërvadiku, i cili karrierën muzikore e fillojë me babain e tij duke kënduar në dasma e gazmende, për të vijuar më karrierën solistike, duke u bërë një nga emrat më të njohur në estradën shqiptare.

Image

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtari Shaqir Cërvadiku shpalos shumë të pathëna: Cila është histora e këngës "S'kam kujtue se m'vjen Pranvera", Cilen ngjarje të fëmijërisë nuk e harron, për këto dhe tema të tjera, ju ftoj ta lexoni intervistën në vijim.

Image

“Kosova Sot Online”: Keni vite në skenë, gjatë viteve të 80’-90’, këngëtarë kishte më pak e vlera më shumë, gjersa sot po ndodh e kundërta, si këngëtar i mirëfilltë i muzikës popullore shqipe, a mund të na bëni një paralele të zhvillimit të muzikës atherë dhe sot?

Shaqir Cërvadiku: Vlera të mirëfillta ka pasur më shumë atëherë por ka edhe tani.Dallimi qëndron se më herët vlerat janë vlerësuar shumë edhe nga publiku edhe mediat,kurse sot në disa media e TV ju jepet më shumë hapsirë antivlerave muzikore e njerëzore.Promovohen këngë me muzikë e tekste të qoroditura që ndikojnë keq tek rinia dhe edukimi i tyre muzikor e njerëzor.Kurse vlerat e mirëfillta shumë pak promovohen.

Image

“Kosova Sot Online”: Së fundi keni lansuar disa këngë të reja, sa jeni ndarë të kënaqur me këto realizime, dhe kush janë autorët e këngëve?

Shaqir Cërvadiku: Për shkak të pandemisë u grumbulluan shumë këngë dhe gjatë nëntorit i realizova mbi 10 këngë me tema të ndryshme.Disa janë publikuar e disa ditëve në vazhdim.Për festën e Flamurit kam publikuar kangën "Dy Adema dy" me tekst të Lebit Murtishit, muzikë të Kolë Susajt,orkestrimi Ethnomusic dhe videoklip Red Media.Pastaj tre duete me Mahmut Feratin "Kangë për Sherif Devishin"teksti-Milaim Islami,muzika e punuar nga unë dhe Mahmuti,orkestrim Ethnomusic,video -Red Media.Dueti tjetër ishte kanga "Maskara e Poklekut", teksti Milaim Islami,muzika e punuar nga unë dhe orkestrimi Ethnomusic e video-Red Media.Kursë se fundi ishte dueti "Kanga për baxhanakët" me tekst e muzikë nga Fatmir Muja,Orkestrimi-Studio Rrah me realizim nga FM Production.Realizova dhe nji kangë dashnie e titulluar "Hiç" me tekst dhe muzikë të Fatmir Mujës,Orkestrimi Studio Rrah dhe vokali-Shpetasound.Kurse së fundi është publikue "Kanga për dëshmorin Faik Ukëhaxhaj" me tekst të Milaim Islami,muzika e punuar nga unë,kurse orkestrimi dhe video nga Lati Berisha,e montazhi Vehbi Berisha.Kisha edhe disa xhirime me video të disa kangëve të mëhershme.Edhe 5 kangë pritet të publikohen ditëve e javët ne vazhdim.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë pesë këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Shaqir Cërvadiku: Unë e kam të vështirë ti dalloj këngët e mija por ato i kanë dalluar publiku pasi shumë prej tyre janë hite edhe sot e kësaj dite.Pasi kërkuat 5 kangë po mundohem ti veqojë: 1."Shqipërinë e dua", 2."Nji grusht dhe", 3."S'kam kujtue se m'gjen pranvera", 4."Vajza është pranverë e jetës , 5."Elegji për bashkëshortën". Por kam pasur edhe dhjetra hite të tjera.

Image

“Kosova Sot Online”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Shaqir Cërvadiku: Nga fëmijria momentet më të mira ishin kur në oda burrash këndoja këmbëkryq me babën Halilin dhe axhën Hysenin.Ishte një fëmijëri me shumë ëndrra me dashuri për muzikë e shkollim.

Image

“Kosova Sot Online”: Në mesin e shumë dueteve të sukseshme që keni realizuar ndër vite, dua t’i veçoj duetet e realizuara së fundi me këngëtarin dhe mikun tuaj Mahmut Ferati “Kënga e Baxhanakëve”, “Masakra e Poklekut”, e shumë duetet tjera, përveç këngëve do doja edhe një vlerërësim për mikun tuaj Mahmut?

Shaqir Cërvadiku: Me Mahmut Ferati kemi shumë duete të suksesëshme.Është një këngëtar me një vokal me ambëlsi e teknikë të lartë të këndimit dhe në duetet tona, vokalet tona kombinohen shumë mirë.Bashkpunimi me të ka nisur që nga vitet e 80-ta.Një kohë kemi kënduar bashkë në dasma, së bashku me Mahmutin,Milaimin e Bakiun.Përpos me Mahmutin kam patur duete të suksesëshme edhe me këngetarë të tjerë:Sala Bekteshi,Violeta Kukaj,Nikollë Nikprelaj,Haki Godanci,Asim Gashi,Afërdita Demaku etj, por edhe shume këngë me kolegë tjerë qoftë trio apo potpuri.

“Kosova Sot Online”: “S’kam kujtu se m’gjenë Pranvera”, është këngë që s’harrohet kurrë, na kujtoni historinë e realizimit të saj ?

Shaqir Cërvadiku: Kisha përgatitur mbi 10 këngë për albumin e katërt që doja ta realizoja në studion e Valton Beqirit.Tesktin dhe muzikën e këngës "S'kam kujtue se m'gjen pranvera" i kisha punue unë dhe e kisha kangë rezervë të albumit.Nderkohë Sabit Ballbani me thërret me këndue një këngë për një album të përbashket me kolegë të tjerë.Meqenëse këngën "S'kam kujtue se m'gjen pranvera" kisha kangë rezervë ja dhashë këtë këngë, ndersa tjerat i ruajta për albumin tim.Pa pritur kjo këngë u bë Hit shumë shpejt dhe e mora edhe në albumin tim.Kjo këndohet që 27 vjet, nga jo vetëm nga unë por edhe nga shumë këngëtarë të tjerë.

Image

“Kosova Sot Online”: Në një fshat në Kamboxha të Azisë ku njerëzit vuajnë për ushqim dhe ujë, fëmijët tuaj, kanë ndërtuar një bunar, i cili është emëruar me emrin tuaj dhe gruas të ndjerë, Hatixhes, nga lindi kjo ide dhe pse pikërisht atje?

Shaqir Cërvadiku: Po ishte një ide e realizuar nga fëmijët e mi, pa e ditur unë.Këtë aksion human e kanë realizuar përmes një Organizate ndërkombëtare humanitare.Unë e kam kuptuar tek pasi ishte realizuar.Femijët mi, edhe kët vit me iniciativën e tyre kanë ndertuar poashtu një bunar në një fshat në shtetin e Nigerit, ku njerëzit jetonin në kasolle e pa ujë të pijshëm.Unë i përgëzojë për humanitetin e tyre.

Image

“Kosova Sot Online”: Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj Shaqiri, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria?

Shaqir Cërvadiku: Mbremja e fundit, ishtë për festën e grave 8 marsin në Liege të Belgjikës.Të gjitha mbrëmjet e dasmat u anuluan për ta mbrojtur shëndetin e njerzëve.Vërtetë pandemia na e ka komplikuar jetën.Tërë botën e ka çrregulluar.Gjatë pandemisë jam përkujdesur për fëmijet e familjen.Kohën tjetër jam munduar ta shfrytëzoj për të krijuar këngë të reja.

Image

“Kosova Sot Online”: Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t'i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?

Shaqir Cërvadiku: Ishte vit i rëndë jo vetëm nga pandemia por kët vit u shuan edhe shumë artistë të kangës e filmit që ishin ikona të artit.Shteti dhe insitucionet duhet që të kenë përkujdesje të veqantë për invalidët e luftës,familjët e dëshmorëve, për çlirimtarët që janë në gjendje të rëndë ekonomike, por duhen të perkujdesën edhe për këngëtarët, sportistët e artistët që i kanë dhënë shumë vlera ketij populli me veprat e tyre.

Image

“Kosova Sot Online”: A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2021 - të's?

Shaqir Cërvadiku: Tash krijimtaria është përqendruar kryesisht me këngë e videoklipe.Por mund ti permbledhë këngët e fundit në një CD para Verës .

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë tri gjërat që ëndërron t'i ralizosh deri në fund të jetës?

Shaqir Cërvadiku: Ëndrrat e mija janë :Të kem shëndet të mire, ti kem fëmijet e familjën mirë dhe të realizoj këngë,këngë këngë... pafund.

Image

“Kosova Sot Online”: Për fund, cila është motoja dhe urimi i Shaqir Cërvadikut, për Vitin e Ri 2021?

Shaqir Cërvadiku: Uroj që viti 2021 të jetë vit i mbarë.Të ikë kjo pandemi sa më shpejt dhe të kthehet normaliteti i jetës.Besoj se pandemia ka ndikue që njerëzit të ndryshojnë për të mirë duke e vlerësuar jetën, shëndetin, familjën, miqësinë e dashurinë për njerëzit.Uroj që në vitin 2021 të kemi shëndet, harmoni, lëvizje të lirë pa maska e mirëqenje për gjithë shqiptarët kudo që janë dhe botën në tërësi.

Intervistoi: Armend Preteni

Image

(Kosova Sot Online)