Merita Bunjaku: Po të ishte shteti i përkushtuar në artin dhe artistët e mirëfilltë në përgjithësi nuk mendoj se do të kishim ardhur në këtë pikë

  • A.P /
  • 04 janar 2021 - 19:37
Merita Bunjaku: Po të ishte shteti i përkushtuar në artin dhe artistët e mirëfilltë në përgjithësi nuk mendoj se do të kishim ardhur në këtë pikë

Intervistë me këngëtaren MERITA BUNJAKU

Merita Bunjaku, është nga këngëtaret më të njohura të muzikës popullore, të cilën e veçon ngjyra e rrallë e vokalit të saj, derisa përgjatë karrierës, Merita ka publikuar shumë këngë solo, e duete të suksesshme. Prej tyre do t'i përmendim disa sosh: "E ke treguar veten", "Pa ty" dhe "Shko" (2012), "Malli për Nënën" (2013), "Sa hap e mbyll sytë" (2014), "Kënga e flamurit" (2016), "Motra" në bashkëpunim me Nazife Bunjakun (2017), me të cilën ka realizuar edhe disa albume ndër vite, që u mirëpriten nga publiku.

Image

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtarja përgjigjet në pyetje rreth jetës dhe karrierës, të cilat ju ftojë t'i lexoni gjatë mbarështrimit në vijim.

 

"Kosova Sot Online”: Me rastin e festave të fundvitit keni sjellur disa perla të muzikës popullore në versionin tuaj si: “Si m’ke sytë”, “Ani moj Shqipni”…, sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këtyre këngëve?

Merita Bunjaku: Në fund të muajit shtator e kam përfunduar një projekt me gjithsej tetë këngë popullore por të punuara në një frymë pakë më ndryshe. Pa dashur të lavderohem por në bashkëpunim me kolegët e mi ne kemi realizuar disa këngë, e që lirisht mund t’i quajë perla të muzikës popullore dhe normal se kjo ka sjellë kënaqësi për të gjithë ne që ishim pjesë e këtij projekti.

Image

“Kosova Sot Online”: Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj Merita, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria në Kosovë?

Merita Bunjaku: Ky vit, bashkë me pandeminë që e shoqëroi nuk ishte jo vetëm produktiv por edhe shumë stresues dhe fatal për shumë njerëz kudo në botë, kështu që më e pakta që e kam menduar gjatë kësaj periudhe, kanë qenë organizimet muzikore. Unë personalisht projektet që i kam pasur në plan i kam realizuar por normal me kufizime dhe jo në afatet që unë i kisha planifikuar. Izolimi fillimisht si rregull kufizues të krijon një ndjenjë jo të mirë por unë nuk jam prej atyre personave që dorëzohem lehtë, përkundrazi mundohem që në çfardo situate të krijoj atmosferë të ngrohtë kudo që gjindem. Kënaqësia më e madhe në jetë për mua ishte të ndajë kohën më të madhe me anëtarët e familjes. Nuk mund ta injoroj dhe ta lë pa e përmendur edhe atë ndjesinë e ftohtë e që është mungesa e kontakteve me miqtë e me kolegët e mi.

Image

“Kosova Sot Online”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Merita Bunjaku: Fëmijëria ime ka qenë shumë e lumtur dhe kam mall për çdo moment të kaluar në atë periudhë të jetës. Por nuk mund të ndaj momente të veçanta sepse çdo gjë në atë kohë ka qenë e veçantë për mua, sepse unë i kam shijuar që të gjitha në maksimum.

Image

“Kosova Sot Online”: A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Merita Bunjaku: Po, më ka ndodhur. Kanë qenë këngë ndoshta të bukura për t’u dëgjuar e për dikend edhe shumë të pëlqyera, e ka ndodhur që të shndërrohen në hite por unë kam menduar që ato nuk më përshtaten mua dhe asaj çka unë kam promovuar me vite të tëra. I kam pasur arsyet dhe atë, shumë të forta pse unë nuk i kam pranuar ato këngë.

Image

“Kosova Sot Online”: Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?

Merita Bunjaku: Momentet e lumtura kanë qenë të shumta në jetën time, sa që nuk di se cilën ta veçoj për këtë bisedë. Çdo moment me familjen, me djalin tim, me bashkëshortin, me prindërit, motrat, vëllaun, nipat e mbesat dhe me të gjithë ata që kemi raporte të shëndosha janë të veçanta.

Image

“Kosova Sot Online”: Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Merita Bunjaku: Provokimet apo mënyra se si këngëtarët dhe jo vetëm kjo kategori, e shohin si zgjidhje për të arritur te caku i qëllimit të tyre nuk e karakterizon vetëm vendin tonë por pothuajse të gjithë botën. Tani njerëzit kanë mendime të ndryshme në këtë aspekt. Disa e shohin si normale derisa disa janë në kundershtim te plotë me këtë dukuri. Unë mendoj se gjithsecili e sidomos këngëtari duhet ta ketë armën kryesore, talentin për të kënduar bukur, e nëse edhe kjo i mungon dhe kësaj i shtohen provokimet atëherë çdo gjë kalon në banalizëm.

Image

“Kosova Sot Online”: Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t'i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?

Merita Bunjaku: Po të ishte shteti i përkushtuar në artin dhe artistët e mirëfilltë në përgjithësi nuk mendoj se do të kishim ardhur në këtë pikë për të kontestuar mbështetjen e tij për këtë kategori. Janë pikërisht këta që nuk patën asnjëherë politika të mirëfillta për të vënë në binar artin në përgjithësi dhe sot jemi në një situatë ku, sa për sy e faqe shfaqin ndjenja të rrejshme respekti e dashurie për ata që i kanë dhënë shumë muzikës dhe artit në përgjithësi dhe që sot nuk i kemi më. Uroj që të vije dita që dikush të mendoj pak më seriozisht për këtë aset të harruar nga shteti por të ngritur e të vlerësuar nga populli.

Image

“Kosova Sot Online”: Si ishte viti 2020 për Meriten?

Merita Bunjaku: Viti 2020 filloi i mbarë por kjo mbarësi nuk zgjati shumë. Erdhi momenti që u ballafaquam me diçka të panjohur dhe normal se e panjohura sjellë frikë e pasiguri te çdo njeri. Fillimi ishte pak stresues sepse pastaj njeriu mësohet të bashkëjetojë me çdo gjë që i vije në jetë. Përkundër kësaj gjendjeje, unë e kam bërë një jetë normale duke u munduar të krijojë një atmosferë të mirë brenda shtëpisë dhe duke e marrë me sportivitet situatën. Planet e mia profesionale që i kam pasur i kam realizuar, e nuk i kam lënë anash edhe gjërat e tjera të cilat e karakterizojnë jetën tonë brenda një viti normal.

Image

“Kosova Sot Online”: A keni planifikuar ndonjçë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2021 - të's?

Merita Bunjaku: Po, gjithsesi! Edhe pse ende nuk i kam publikuar edhe gjashtë këngët e tjera të realizuara gjatë këtij viti unë i kam planet e mia edhe për projekte të tjera.

Image

“Kosova Sot Online”: Cilat janë tri gjërat që ëndërron t'i ralizosh deri në fund të jetës?

Merita Bunjaku: Si në aspektin privat edhe në atë profesional, unë mendoj se i kam arritur ato që i kam synuar në jetë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se këtu përfundon gjithçka. Synimet e mia për të dhënë më shumë këngë me shumë art e vlerë nuk mendoj t’i kufizojë në numrin tre.

Image

“Kosova Sot Online”: Për fund, cila është motoja dhe urimi i Merita Bunjakut, për Vitin e Ri 2021?

Merita Bunjaku: Motoja ime "Jeta është shumë e bukur. Ta bëjmë atë edhe më të bukur me buzëqeshjet tona dhe me një dashuri më të madhe për njeri tjetrin”

Viti 2020, përkundër pritjeve tona na doli një vit shumë i lodhshëm dhe i veshtirë. Përkundër përjetimeve të këqija e humbjeve të mëdha uroj që ky vit i ri të na ofrojë mundësitë t’i riparojmë ato që na i la ky vit që po e lëmë pas. Shëndet, mbarësi dhe ditë me shpresa të mëdha për gjithë njerëzimin. Gezuar 2021!

Intervistoi: Armend Preteni

Image
Image


(Kosova Sot Online)