Ansambli Nacional prezantoi me sukses temën 'Folklori shqiptar dhe Ansambli Nacional Shqiptar i RMV-së'

  • A.P /
  • 09 September 2021 - 14:23
Ansambli Nacional prezantoi me sukses temën 'Folklori shqiptar dhe Ansambli Nacional Shqiptar i RMV-së'

Në kuadër të seminarit të organizuar nga organizatorët e festivalit “ Jordanes International Folkloriques di Catalonya” në Muzeun arkivor të qytetit Kalella në Kataloni, në prezencë të studiuesve të folklorit, profesorëve , studentëve të interesuar për folklorin shqiptar u prezantua tema “Folklori shqiptar dhe Ansambli Nacional shqiptar i RMV-së”.

Punimin e përgatiti drejtori i Ansamblit z.Shkodran Tolaj ku në mënyrë kronologjike ka shkruar për karakteristikat e folklorit shqiptar, tipologjinë e këngëve autoktone, pasurinë dhe dallimi mes dy degëve shqiptare: toskë e gegë si në dialekte ashtu edhe në muzikë: instrumente autoktone, kostume e valle, në mënyrë të veçantë për karakteristikat e valleve shqiptare sipas zonave, instrumentet burimore dhe depërtimin e instrumenteve të reja në fund të shek. XIX në muzikën tonë popullore deri tek karakteristikat muzikore folklorike në zonat shqiptare në RMV pa harruar protagonistët kryesorë që bënë historinë në muzikë dhe kompozitorët e parë. Veç trajtimit të folklorit shqiptar në përgjithësi dhe atij të trevave të RMV- së në veçanti u dhanë detaje për institucionin e vetëm muzikor - Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare. Rreth ansamblit u dhanë detaje për strukturën artistike e administrative, programin e realizuar deri tani dhe misionin që në vazhdimësi e ka ky institucion - arkivimin, ruajtjen dhe ngritjen e vlerave autoktone në nivel të lartë profesional. U dhanë detaje të mënyrës së funksionimit, numrit të të punësuarve në sektore dhe ecjet e përgjithshme të institucionit në dy vite funksionim. Prezantimi i temës u bë rreth 45 minuta në shqip dhe anglisht nga drejtori Shkodran Tolaj dhe bashkëpunëtori për marëdhënie ndërkombëtare Amir Mamuti. Ky prezantim zgjoi kurreshtje dhe interesim tek të pranishmit të cilëve në fund drejtori Tolaj u dha mundësinë që të parashtrojnë pyetje. Duke shprehur befasi nga ky prezantim nuk munguan pyetjet në mesin e të cilave ” Z. Tolaj ju theksuat që Ansambli u themelua më 2018 dhe filloi funksionimin më 2019! Duke llogaritur edhe pandeminë si është e mundur dhe si ia keni dalur të keni kaq repertorë te gjërë, aktivitete të shumta, çmime jashtë vendi dhe një nivel kaq nivel të lartë artistik?”

Drejtori Tolaj shpjegoi dinamikën e punës gjatë gjithë kësaj kohe dhe energjinë e madhe që është dhënë në institucion i cili pikërisht që është krijuar vonë dhe është i ri duhet të krijojë bazament të shëndoshë, të vendoset në rrugë të mbarë dhe çdo ditë të shfrytëzohet për ngritje sa më të madhe artistike e profesionale. “Ansambli për mua personalisht është mision në vehte”- tha drejtori Tolaj.

Të pranishmit shprehnin admirim e përkulje për punën dhe këtë institucion që po paraqitet me dinjitet të jashtëzakonshëm në çdo aspekt në këtë festival.

(Kosova Sot Online)