Ansambli Nacional shqiptar i vetmi nga grupet pjesëmarrëse që pranoi mirënjohje nga organizatorët e festivalit 'JIF Catalunya' 2021 edicioni i 49-të

  • A.P /
  • 13 shtator 2021 - 20:00
Ansambli Nacional shqiptar i vetmi nga grupet pjesëmarrëse që pranoi mirënjohje nga organizatorët e festivalit 'JIF Catalunya' 2021 edicioni i 49-të

Ka përfunduar pjesëmarrja dhjetëditore e Ansamblit shqiptar në festivalin me renome ndërkombëtare “Jodranes Internacional Folkloriques de Catalunya” edicioni i 49-të! Janë zhvilluar takime të rëndësishme në nivelet më të larta shtetërore, personalitete të shumta kanë shfaqur interesim të veçantë për ansamblin tonë, janë mbajtur seminare ku u prezantuan në mënyrë të hollsishme vlerat e instrumenteve, këngëve, veshjeve, valleve dhe punës dy vjeçare të ansamblit me ç’rast profesorë e studiues ndërkombëtare u ndanë të impresionuar.

 

U realizuan koncerte me sukses të jashtëzakonshëm, me program të veçantë e shumë të ngjeshur në qytetet kryesore të Katalonisë. Në mesin e grupeve pjesëmarrëse nga Ekuadori, Ukraina, Rusia dhe Katalonia, organizatorët e festivalit, respektivisht kryetari i “Adi folk”- Ivan Besola i Rolg dhe drejtori i festivalit JIF- Catalunya - Orion Ramirez i Carol vendosën që nga të gjitha grupet të dallojnë Ansamblin shqiptar andaj pavarësisht se ky festival kishte karakter revial u vendos që nga grupet pjesëmarrëse të ndahet mirënjohje vetëm vetëm për Ansamblin Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV me motivacion “për profesionalizmin, kualitetin artistik, punën e madhe si dhe përkushtimin ndaj traditave, në edicionin e 49-të të festivalit Jornades Internacionals Folkloriques de Catalunya!


Kjo mirënjohje ka vlerë të madhe duke marrë parasysh se vjen nga një festival që është nën emblemën e CIOFF- Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore - partner oficial i UNESCO. Kjo mirënjohje dëshmon se ansambli ynë si institucion ka arritur tashmë që me punë e suksese të njëpasnjëshme të bëhet emër i përveçëm në agjendat e organizatave dhe festivaleve të mëdha botërore! Ansambli prezantimin e sontëm e mbylli me koreografinë “Vallja e paqes” si mesazh dhe dëshirë që paqja, mirëkuptimi e dashuria ta mbizotërojë tërë botën dhe kultura të mbetet gjuha më e unisuar e bashkimit dhe mirëkuptimit në mes shteteve e kombeve!

(Kosova Sot Online)