Nëntori i Alfabetit - Kur arti flet!

  • A.P /
  • 30 November 2021 - 11:57
Nëntori i Alfabetit - Kur arti flet!

Rreth koncertit të 22 Nëntorit, mbajtur në Qendrën për Kulturë në Manastir!

Koncerti i 22 nëntorit në Qendrën për Kulturë në Manastir do të mbahet mend për shumë vite:

1.Për shkak se Ansambli Nacional për herë të performonte në vendin ku Rilindasit tanë krijuan alfabetin për ata që e duan dhe e shkruajnë këtë gjuhë hyjnore pastër e bukur

2.Për shkëlqimin që solli natën e 22 nëntorit me valle premierike si ajo e Rekës që doli në skenë për herë të parë duke hulumtuar atë rajon të lashtë ilir që dekada ngeli pa u prekur!

3.Për dhembjen e madhe që solli agu i 23 nëntorit me humbjen e 45 bashkëvendasve tanë në mënyrën më të dhimshme e që solli ditë të rënda pas një shkëlqimi të madh e spektakolar.

Ansambli Nacional i këngëve e valleve shqipe në RMV pa të arsyeshme që nuk duhej të nxirrej as shkrim, as fotografi lidhur me shkëlqimin e 22 nëntorit gjatë ditëve shumë të rënda dhe vendosi që të anulojë edhe koncertin e 28 nëntorit për hir të solidarizimit dhe bashkëndjenjës kombëtare derisa kufomat e viktimave ende nuk ishin kthyer në vendlindje!

E sot, pas 10 ditësh, pas ceremonisë së 28 nëntorit kur u bënë dhe homazhe dhe nderimet e fundit në sheshin e lavdisë e dhembjes, pra në sheshin “Skenderbeu” ku u vendosën lule me përkulje për viktimat po u sjellim mbresat e koncertit dhe fotografi nga nata e 22 nëntorit. Ky koncert u organizua në bashkëpunim me Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir dhe në koordinim të shkëqyeshëm me drejtorin z.Zait Aliu i cili me zemërgjërësi priti këtë eveniment që u mbështet nga Ministria e Kulturës si pjesë e programit në kuadër të kalendarit vjetor artistik!

Koncerti i 22 nëntorit u ndoq nga një numër i madh spektatorësh në sallë dhe një numër i madh i artdashësve përmes televizionit të Maqedonisë dhe Televizionit shqiptar. Hapjen e bëri sekretari shtetëror Valmir Aziri i cili përgëzoi nga zemra drejtorin e Ansamblit z.Shkodran Tolaj që ka vënë vehten në shërbim të ngritjes së shpejtë të ansamblit. Sekretari Aziri në emër të Ministrisë së Kulturës uroi shqiptarët për 113 vjetorin e Kongresit të Manastirit duke potencuar që ideali i të parëve rilindas duhet të jetë udhërrëfyes për gjenerata të ardhshme. Koncerti u hap në mënyrë spektakolare me vallen e Rekës, një gjurmim i parë i asaj zone, ritmit, valles, dokeve dhe traditave të harmonizuar me veshje origjinale. Kjo valle u begatua me instrumente burimore nga Ardi Osmani e Mexhait Ramadani. Vallja padiskutim që paraqet origjinalitet dhe mjeshtri të koreografit Dilaver Kryeziu dhe autorit të muzikës Ylber Asllanaj të cilët patën guximin të punojnë për këtë rajon për herë të parë! Fati është i Ansamblit shqiptar që tashmë në repertor ka “Vallen e Rekës”. Pas emocioneve që sollën kostumet, muzika, lashtësia e Rekës përcjellur dhe me paraqitjen e profesorit universitar Xhelil Rufati i cili në këtë valle ishte në rolin e lajmëtarit te vallja e Rekës, grupi i solistëve interpretoi këngën e Enver Stafajt “Një lule në Gostivar” , më pas u interpretua kënga popullore “Miriban” nga Besarta Murtezani, “Dallëndyshe” nga Era Azemi dhe “Tetovare” nga Zekirija Lamallari. Motivi i dashurisë ndaj vendlindjes dhe plaga e mërgimit ishe pjesë e këtij blloku. Mysafire speciale e mbrëmjes ishte ikona e valles shqipe, nderi i kombit Liliana Cingu e cila së bashku me vallëtarin Ilir Loku sollën të famshmen “Vallja e Çobanit”. Në atmosferë të njejtë me kostumin e Prespës u ngjitën në skenë djem e vajza për të dhënë mesazhin se gegë e toskë janë bukuria e madhështia e muzikës dhe shqiptarëve. “Vallja e Prespës” erdhi premierë punuar nga koreografi Genc Kastrati e muzikë nga Valton Beqiri me kostume origjinale e të punuara me aq përkushtim. Në këtë atmosferë vazhdoi grupi i këngëtarëve “ Pse jem toskë e pse jem gegë”. Me ovacione të njejta nga publiku u prit kënga e Brahim Ketës interpretuar nga Agron Kalisi kurse më pas Jetmir Rexhepi interpretoi “Këngë bashkimi” dhe blloku u mbyll me “Shqiptaria” interpretuar nga Kastriot Latifi. Në këtë frymë epizmi u shfaq në skenë “Vallja e paqes” punuar me rastin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit si shprehje e sfidave dhe ecjes së shtetit në dy dekadat e fundit. Kjo valle me koreografi të Robert Nuhës e muzikë nga Valton Beqiri solli energji, profesionalizëm dhe gërshetim të kombëtares me modernen që shprehë edhe ecjen tonë si ansambël në sektorin e valles por dhe rrugëtimin si komb plot peripeti e sfida. Blloku i radhës begatoi programin me këngën “Mic Sokoli” që u interpretua nga tenori- drejtori i ansamblit Shkodran Tolaj i cili në muzikën mbarëshqiptare identifikohet posaqërisht si artist i këngës lapidare. Kjo këngë u interpretua bashkë me doajenin e këngës popullore Salajdin Miftari. Në atmosferë të njejtë grupi i solistëve solli këngën “Moj Shqipëri të qofsha falë” për të vazhduar me një nga vokalet më të spikatura popullore Nexhat Suma i cili interpretoi këngën antologjike “Jem Ilira, jem Teuta”.

Në këtë atmosferë të ngrohtë ovacioni e duartrokitjesh u ngjit në skenë Nderi i kombit- Liliana Cingu e cila u dekorua me Medaljen e ansamblit si model për gjeneratat e ardhshme. Cingu falemnderoi përzemërsisht drejtorin Shkodran Tolaj i cili bëri që të ndjehej edhe njëherë në të njejtën moshë me të rinjtë plot energji të ansamblit dhe se ky nderë i bëhet për herë të parë pas shumë vitesh të ndarjes nga skena e Ansamblit kombëtar të këngëve e valleve në Shqipëri. Drejtori Tolaj përshëndeti dhe falemnderoi znj. Cingu e cila mbetet ikonë e papërsëritshme e valles shqipe. Njëkohësisht ai falemnderoi publikun nga Prespa që atë natë në masë të madhe ishin të pranishëm në sallë dhe Manastirin që mbetet zemra dhe nisja e themeleve të shtetit e gjuhës shqipe. Hyrja e këtij spektakli u bë me Himnin kombëtar ashtu siq e do protokoli në festat tona shtetërore e kombëtare kurse u mbyll në mënyrë spektakolare mr “Xhamadani vija- vija” që ka kaluar në himn të muzikës që e di çdo shqiptar! Kjo ngjarje do mbetet padyshim jo vetëm në arkivën e Ansamblit si performancë e parë në Manastir por dhe për vet historinë e qytetit tonë të lavdishëm të shkronjave në të cilin me 22 nëntor 2021 jehoi si kurr më parë kënga e vallja shqipe nën petkun e kostumeve origjinale e aq madhështore!


(Kosova Sot Online)