Nga libri  “Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan”  të autorit Prof.Dr. Mehdi Hyseni

  • G.G /
  • 13 April 2022 - 09:02
Nga libri  “Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dardan”  të autorit Prof.Dr. Mehdi Hyseni

(KAPITULLI

VIII)                                                                                                                                                     

BASHKËLUFTËTARËT DHE BASHKIDEALISTËT PËR HEROIN ILIR KONUSHEFCI

 ( https://en.wikipedia.org/wiki/Ramush_Haradinaj)

Ramush HARADINAJ

(bashkëluftëtar, gjeneral dhe ish-kryeministër i Kosovës)

BREZI I UÇK-së KA PASUR TË RRALLË HERONJ SI KONUSHEFCIN E MALËN

Para ceremonisë së rivarrimit të heronjve Ilir Konushefci dhe Hazir Malaj në Varrezat e Dëshmorëve në Velani të Prishtinës, ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj,  mbajti fjalën e rastit në Akademinë Përkujtimore në Tetarin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, më 27 Nëntor 2018.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë  përshëndetëse :

“ I nderuar baca Rifat Jashari

Të nderuar baca Halit, nënë e Ilirit, familje e Ilir Konushefcit.

E nderuar zonjë e Hazir Malës, bashkëshorte, djalë, dajë, të gjithë ju!

Të nderuara autoritete institucionale të Kosovës!

Ish-president Sejdiu, ish-ministër Broka!

I nderuar Gjeneral Rrustem Mustafa!

Komandantë të nderuar!

Të nderuar ambasadorë!

I nderuar kryetar i Podujevës, Agim Veliu!

Të nderuar kryetarë të shoqatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë të respektuar, familjarë të dëshmorëve, martirëve!

Sot është një ditë e ndjeshme për atdheun, kombin tonë, sepse u deshën 20 e sa vjet që edhe një herë të kujtohet rruga e vështirë deri në liri, por edhe obligimet ose detyrat e pakryera të atdheut tonë, ndaj atyre që u flijuan për liri.

E vërteta është se, sot së pari i drejtohem familjes së doktorit Hazir Mala, duke i falënderuar ata, që ashtu si në ditët e luftës, nuk e lanë Ilirin vetëm. Ata ranë dakord që familjari i tyre të pushojë në tokën shqiptare, në atdheun tonë, në Kosovë, në Prishtinë. Ju faleminderit shumë.

Njëkohësisht, një falënderim për bacën Halit, edhe pse ai me mërzitë e veta dhe në vuajtjet e veta, e ka kuptuar drejt një dëshirë të të gjithë neve, që Iliri të pushojë në Prishtinë. Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, edhe në Bajram Curr apo diku tjetër, është në tokën e vet, por këtu në Prishtinë, ai po ashtu rikthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut, ku e filloi, jo vetëm krijimin e idesë së luftës, sepse ishte nga të hershmit, nga ata prijatarët që u angazhuan për të krijuar idenë e lirisë, idenë e luftës. Pastaj, ishte prej atyre që ndërmori të gjitha ato veprime përgatitore të nevojshme të atëhershme, që të funksionojnë njësitë e para, grupet e para, vepruesit e parë të UÇK-së, por fitoi edhe besimin e besnikëve të atëhershëm, të atyre që ishin mjaft të njohur në luftën për liri, të komandantit Zahir Pajaziti dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë.

Nuk është një bashkëluftëtar i UÇK-së i atyre viteve të para, të hershme, pra, para ’97-ës dhe nuk e di kush, që e ka njohur Ilirin, që s’e mban mend për një djalë shumë të formuar, pra si njeri, si shqiptar, për një bashkëluftëtar, po e quaj ashtu, të lehtë për të punuar me të, pa asnjë pengesë, pa asnjë teprim. Ka qenë kurdoherë më i lehti, asnjë vështirësi nuk e ka penguar gjatë punës dhe njëkohësisht kishte mirëkuptim për të gjithë të tjetër. Pra, ishte prej atyre, që ishte në gjendje të të dëgjonte me orë, ishte në gjendje të hynte vetë nëpër ato tema, vetëm e vetëm që lufta jonë të ecte në drejtimin e duhur, pra në drejtimin e arritjes së lirisë.

Kam pasur nderin, që edhe unë, edhe familja dhe shumë bashkëluftëtarë të ishim bashkë në ato kohë të përgatitjes, në ato kohë të luftës, sikurse, po ashtu e kemi përjetuar edhe rëndë rënien e Ilirit dhe të Hazirit. Ka qenë një goditje e madhe për përpjekjet tona për liri.

Dëshira ime është që porositë më të mira të veprës së Ilirit e të Hazirit, të jetojnë ndër brezat, të jetojnë me fëmijë, tek ata që kanë për t’u rrit në Kosovën e lirë dhe njëkohësisht, të gjithë ne të tjerët të punojmë  së bashku që të jemi të bashkuar, për shkak se ashtu sikurse ishte vështirë të arrihet liria, po ashtu është e vështirë të ruhet ajo.

Forcimi i Lirisë, bëhet duke forcuar të gjitha ato shtylla të jetës sonë, ato shtylla kanë një emër për Kosovën tani, janë institucionet, është shteti, është ushtria që mbron vendin dhe kuptohet jemi gjithë ne të tjerët që e duam atdheun.

Sot, kemi të drejtë, pas këtij veprimi, që atdheu ia ka borxh Ilirit, kombi ia ka borxh Ilirit dhe Hazirit, i cili vjen prej një familjeje atdhetare dhe me vetëdije të lartë kombëtare ndër breza, të ndihemi të lehtësuar, se një borxh e përfunduam ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë.

Kisha folur me orë të tëra, por e di që është rëndë për të sjellë para jush kujtimin për Heroin tonë, për Ilir Konushefcin, për Heroin tonë, për Hazirin, sikurse është për të sjellë kujtimet për ata që kanë rënë për liri, Lavdi !”

(Për këtë shënim rasti historik, foto dhe teksti:https://kryeministri-ks.net/fjala-e-kryeministrit-haradinaj-ne-akademine-perkujtimore-kushtuar-gjeneral-major-ilir-konushevci-hero-i-kombit-dhe-dr-hazir-malaj/)

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".