Nga libri " Ilir Konushefci, simbol i bashkimit dhe i trimit dradan" (M.H.)

  • G.G /
  • 13 April 2022 - 09:06
Nga libri

(KAPITULLI VIII) 

Spiro BUTKA*

(kolonel, bashkëluftëtar dhe vullnetar i UÇK-së nga Tirana)

Image


DËSHMORËT E KOMBIT BRENDA DHE JASHTË KUJTESËS  HISTORIKE

 

“Jeta dhe vepra e Ilirit dhe e Hazirit ishte dhe mbeti në histori një akt monumental e simbol i bashkimit të gjithë shqiptarëve.”

(kolonel Spiro Butka,Tiranë, 9 maj 2014)

(Shqipëria Etnike. Foto:http://www.panorama.com.al/shqiperia-etnike-fluturon-mbi-beograd/)

Dita  e nëntë e muajit Maj e vitit 1945 lidhet me kujtesën historike të fitores, që arritën popujt e këtij rruzulli tokësor në Luftën e Dytë Botërore kundër nazifashizmit italo-gjerman dhe militarizmit japonez. Përkujtohen ngjarjet dhe  historia  merr jetë, për të ecur e sigurt  drejt përjetësisë, të veprës heroike të atyre milionave martirë, që derdhën gjak, për çlirimin e popujve të robëruar dhe për pavarësimin e atyre vendeve përkatëse, që u rreshtuan në atë luftë botërore, krahas SHBA-së, Anglisë, Rusisë, Francës e shteteve të tjerë të çdo kontinenti.

 

                          ***          ***              ***

Iliri dhe Haziri  bashkuan atdhetarët për çlirimin dhe lirinë e Kosovës 

(foto: https://www.epokaere.com/perkujtohen-ilir-konushevci-e-dr-hazir-mala/)

 

Muaji Maj, që nga viti 1998 e në vazhdimësi, në ditën e nëntë të tij, përkujtohet tashmë dhe për një ngjarje tjetër të rëndësishme historike, për aktin sublim të dy dëshmorëve të kombit shqiptar, Ilir Kunushefci e Hazir Malaj, të cilët gjatë kryerjes të detyrave luftarake për çlirimin e Kosovës, u vranë pabesisht nga dora gjakatare e bashkëpuntorëve të Beogradit dhe,  për të keqen e vetes sonë, ai krim u krye jo në Kosovën e pushtuar nga serbët, por brenda tokës Amë, shtetit të tronditur shqiptar të sapodalë pas trazirave marramëndëse të vitit 1997.

Që nga ajo ditë e shënuar e 9 majit 1998, për çdo vit në Tiranë, në kryeqytetin e gjithë shqiptarëve të kudondodhur, përkujtohet rënia heroike e këtyre dy legjendarëve, të cilët edhe pse të ndarë me kufij imagjinarë, bashkuan shqiptarët në një luftë të përbashkët për çlirimin e Kosovës nga hordhitë nacionaliste srbe. Të dy  trimat e asaj lufte madhore erdhën në përvjetorin e tyre të radhës, ashtu si më parë të gjallë dhe krenarë, për atë akt madhështor e të lavdishëm, që kryen në interes të këtij populli e kombi ende të copëtuar në disa pjesë, brenda disa shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Salla gumëzhiu dhe u mbush plot me shokët e tyre të luftës, të ardhur nga disa treva etnike shqiptare. Himni Kombëtar hapi siparin e këtij përkujtimi dhe akademia vazhdoi më tej me solemnitetin e duhur në këso rastesh, ku nuk munguan ligjërimi i historianit Skënder Zhitia dhe përshëndetjet e zëvendësministrit të Sigurisë Muhamet Latifi, të zëvendëskmandantit të FSK-ës, gjeneralmajorit Rrahman Rama dhe të komandantit të Forcave Tokësore të RSH-së, gjeneralmajorit Zyber Dushku. U fol, u përshëndet, u ligjërua e u përkujtua veprimtaria e këtyre dy trimave, në kuadër të kryerjes të detyrave luftarake  të UÇK-së, gjatë asaj lufte çlirimtare.

 Jeta dhe vepra e tyre ishte dhe mbeti në histori, një akt monumental e simbol i bashkimit të gjithë shqiptarëve.

 Si në të gjitha përkujtimet e dëshmorve të tjerë, edhe në këtë rast, nuk mund të gjenden fjalët e duhura për të vlerësuar veprën madhore të tyre.

Ajo sot për ne është e gjallë, tashmë midis shqiptarëve e konkretisht në Kosovë, ku populli asaj treve shqiptare, jeton i lirë e i pavarur në truallin e vet arbëror. Brenda këtij realiteti luftarak të asaj ushtrie çlirimtare, janë dhe Ilir Konushefci e Hazir Malaj, dy ish-luftëtarë të një kauze madhore të shenjtë, të cilët ideali kombëtar, edhe pse ishin ndarë me kufij imagjinarë, i bashkoi përjetësisht në luftë për çlirimin e Kosovës nga zgjedha koloniale e Beogradit nacionalshovinist.

 Jeta dhe vepra e tyre heroike u lidh ngushtë me detyrat dhe me nevojat jetike të UÇK-ës, në luftë të ashpër për jetë ose vdekje, kundër forcave ushtarake të federatës së mbetur serbo-sllave.

Nisur nga praktika luftarake e përparuar botërore, “se pa logjistikë të sigurt, nuk mund të fitohet lufta”, të dy këta organizatorë e drejtues të këtij veprimi luftarak, duke parë se në frontin e luftës së Kosovës, në të gjitha zonat operative luftarake e në veçanti, në Llap, në Mitrovicë e në Drenicë, ndihej mungesa e armatimit dhe e municionit, u angazhuan totalisht për të realizuar me çdo kusht kërkesat e ngutshme brenda detyrave të ngarkuara nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në kuadër të gjithë kësaj veprimtarie luftarake ishte dhe lëvizja e kolonës së tyre me armatim e municion në drejtim të Tropojës në 9 Maj 1998, datë kjo kur këta dy trima të betuar para flamurit e hymnit kombëtar, u vranë pabesisht jo nga serbët, por nga agjentët e tyre shqiptarë, të vënë në shërbim të Beogradit, në një pritë të studiuar, organizuar e realizuar qëllimisht e me paramendim, për t’i vrarë e asgjësuar me çdo kusht.  

 U nisën nga Tirana në mbrëmje, për të udhëtuar natën, sepse mund t’u dilnin probleme me zbatuesit e embargos. Në krye të kolonës udhëtonte me veturë vetë Iliri me Hazirin në krahë të djathtë, ndërsa në ndenjëset pas tyre ishte ulur një oficer i SHIK-ut të asaj kohe. Nga pas vinte automjeti me ngarkesë, i drejtuar po nga njerëz të SHIK-ut. E gjithë kjo lëvizje deri në orën 2.00 të datës 9 Maj 1998, kohë kjo që sapo ishte kaluar kthesa e rrugës për në Tropojë e pikërisht në Miliskajë, përballen me pengesa në rrugë dhe u kuptua menjëherë se dikush i kishte tradhtuar e kërkonte jo vetëm kokat e tyre, por dhe ngarkesën me armatim e  me municion e mjetet financiare, që kishte Ilir Kunushevci me vete. Krisma e parë e shqiptarëve të shitur, u zbraz pikërisht kundër Ilirit, të ulur në ndenjësen e drejtuesit të veturës. E ndjeu dhimbjen trimi i Podujevës, dhe pse i plagosur e mori hakun me plumbin e parë kundër tradhëtarit. Hazir Malaj, mjeku i njohur tropojan, atdhetari e patrioti i përkushtuar  ndaj humanizmit dhe ndjenjës tradicionale të malësorit, e hodhi Ilirin mbi supet e tij dhe mori rrugën për në fshatin më të afërm, për t’i dhënë ndihmën e ngutshme mjekësore dhe për t’u larguar sa më tepër nga vrastarët e pabesë, që vazhdonin t’i ndiqnin. Ndërkohë, Shikasi i ulur në ndenjëset e dyta të veturës, pasi theu xhamin e pasmë, në vend që bashkë me drejtuesin e shoqëruesin e makinës së ngarkuar, të hapte zjarr kundër agjentëve të Beogradit, për të mbrojtur e mbuluar Ilirin e plagosur dhe Hazirin që e bartte mbi supe, u zhduk si hije bashkë me të tjerët dhe në mëngjesin e datës 9 Maj 19998, u gjendën në mjediset e SHIK-ut bashkë me makinën e ngarkuar. Braktisja e dy heronjve në çastin  kritik, në momentin më të vështirë, tregon e qartëson edhe një herë lidhjet e hijeve vrastare, me ata që u larguan në terrin e natës si hajna, pa u hyrë një gjemb në këmbë. Ky veprim i studiuar e i paramenduar bëri, që t’u lihet dorë e lirë UDB-ashve të Beogradit, jo vetëm për t’i ndjekur gjatë tërheqjes dy trimat e asaj lufte, por dhe t’i vrasin, duke i masakruar me breshërira të tëra armësh automatike.  

Nga ajo natë e errësirës vrastare e deri në ditët e sotme, kanë kaluar  16 vjet dhe krimi i dyfishtë, jo vetëm që nuk është zbardhur, por për më keq, përhapen aludime e iluzione të tilla, për të transformuar e mbuluar krimin e atyre që organizuan e kryen pritën për vrasjen e atyre dy herojve legjendarë. “Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë”- thotë poplli ynë. Nisur nga faktet konkrete e bindëse, që argumentojnë kryerjen e atij krimi barbar, në mediat e shkruara, audiovizive e rrjetet sociale të internetit, janë lakuar emra konkretë nga të dy anët e kufirit imagjinar, jo vetëm nga individë që u dhimbset kjo vrasje, por dhe nga agjenci zbulimi prestigjoze dhe organet përkatëse të hetuesisë tashmë të dy shteteve shqiptare heshtin. Por, përse vallë? Nuk u vranë dy njerëz të zakonshën, për të cilët, gjithashtu nuk mund të heshtet, por u vranë dy trima, dy heroj, dy atdhetarë të përkushtuar, dy patriotë të vendosur, dy luftëtarë të UÇK-ës, dy vëllezër të një gjaku, të cilët edhe pse të ndarë me dhunë nga trualli etnik shqiptar, i bashkoi ideali i shenjtë i luftës për liri e pavarësi kombëtare.

Dosja e tyre u hap menjëherë pas ngjarjes, po ajo u mbyll me urdhër, por të kujt?

Ajo, edhe pse mban sipër vetes pluhurin e harresës, ka fakte e argumente, që jo vetëm që  vërtetojnë krimin e kryer, por dhe kush janë autorët e asaj vrasjeje makabre me emra konkretë. Ilir Kunushevci dhe Hazir Malaj e morën hakun e tyre dyfish, një me dorën e Ilirit dhe tjetri nga besnikëria shqiptare, që nuk fal në të tilla raste.

Ata që organizuan dhe kryen atë pritë vrastare, ikën nga sytë e  së vërtetës, por më pas u shpërblyen me grada e ofiqe, dhe sot, edhe pse rrjedha e jetës i ka hedhur në koshin e plehrave, vijnë në përkujtimin e Ilir Kunushefcit e Hazir Malaj, ashtu buzagazë, si hipokritë e me lotë krokodili në sy, duke u shoqëruar dhe nga ndojnë agjent i Beogradit, që rend nëpër sallë me aparat fotografik, për të gjuajtur e kurdisir sajesa të rreme, në favor të atyre që kërkojnë gjykime speciale për luftëtarët e UÇK-ës.

Përkujtimet e këtyre dy heronjve të kombit shqiptar janë shoqëruar vit pas viti me kortezitë ceremoniale, të cilat janë organizuar e zhvilluar nën kujdesin e qeverive përkatëse të Tiranës e Prishtinës. Do të vijë dhe 9 Maji i vitit të radhës dhe rutina e kremtimit do të vazhdojë, duke lënë në harresë jo vetëm zbardhjen e atij krimi ndërshtetëror, por dhe lojën korteziale që bëhet nga ata, që i kanë lënë këta trima në varrezat publike[1], në vend që të sistemohen si gjithë dëshmorët në altarin e lirisë, ku prehen gjithë herojntë e tjerë. Deri kur do të vazhdohet me këtë mënyrë të vepruari, e dinë ata që mbi bazën e gjakut të Ilir Konushefcit, të Hazir Malaj e të mijëra dëshmorëve të tjerë, livadhisin sot, duke u krekosur me lulka në supe e poste qeveritare, gjatë gjithë vitit dhe kujtohen vetëm një ditë para përkujtimit për kurorat korteziale, që duhen vendosur para kamerave televizive.

 Kujtesa historike është dhe mbetet një vatër burimore e pashterur, sepse mbi bazën e memories së saj, ngjarjet dhe ndodhitë kujtohen e rifreskohen, jo vetëm për të ngelur ashtu të gjalla brenda Shqiptarizmës, por dhe i tregojnë mbarë botës përparimtare e demokratike  se si luftohet për të ardhmen, për të mos harruar të kaluarën. Përbrenda këtij këndvështrimi konkret për kujtesën historike, nuk janë vetëm Ilir Kunushefci e Hazir Malaj, por dhe heroi i tri luftrave dhe dëshmori i kombit Pajtim Ahmet Roci nga Kukësi, trimi që derdhi gjakun si lumë dhe fali jetën e vet rinore për çlirimin e trojeve etnike Shqiptare të Shqipërisë Lindore, të pushtuara nga sllavët e vetëquajtur bullgarofolës. Edhe ky trim u vra pabesisht bashkë me dy trimat e tjerë, Lefter Koxhaj nga Skrapari e Ndriçim Koxhaj nga Librazhdi, nga duart gjakatare të  bullgarishtfolësve sllavë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqipëfolës. Ajo që të indinjon së tepërmi te kjo vrasje tragjike nuk është vetëm krimi i pabesë që u krye kundër këtyre tre heronjve legjendarë, por edhe fakti që organee e caktuara të errësirës obskurantiste të shtetit të vetëquajtur Maqedoni, e vranë për herë të dytë, duke e futur në morg ashtu të plagosur, pasi u gjet i gjallë. Ky veprim makabër, vërtetohet dhe sot e kësaj dite nga të zotët e shtëpisë, të cilët pranojnë se trimi Pajtim Roci, ishte në agoni e rënkonte, në kohën kur i morën trupat e tyre në mëngjesin pas ngarjes. Këtu duhet të ndalet Haga dhe ata që llomotisin për drejtësi e gjykata speciale, për t‘u treguar nazifashistëve maqedonasë se cilët janë në realitet ata,  me ato krime monstruoze që kanë kryer jo vetëm në  atë luftë, por në shekuj të tërë, të pandarë përjetësisht as dhe një hap nga serbët. Historia e heroit të tri luftërave Pajtim Roci, nuk mbaroi këtu, sepse ai u vra për herë të tretë nga Zëvendëskryeministri shqiptar pseudodemokrati Genc Pollo këtu në Tiranë, i cili gjatë diskutimit për miratim, nuk e nënshkroi dosjen e tij për dëshmor të kombit, nën pretekstin e ndonjë mungese të papërfillëshme, në një kohë kur ai është njohur e pranuar si pjesëtar i tri luftërave, shpallur dëshmor i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe dekoruar me Medaljen e Shqiponjës, nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Ashtu si Ilir Kunushefci e Hazir Malaj, edhe Pajtim Roci, Lefter Koxhaj e Ndriçim Koxhaj, janë varrosur nëpër varreza publike, në fshatrat përkatëse e jo në varrezat e dëshmorëve, ku prehen edhe dëshmorët e tjerë të Kombit Shqiptar.

Arsyetimet që rrjedhin për të justifikuar këtë mosrealizim përbetimi, nuk mund të pranohen kurrsesi, aq më tepër kur theksohet se shkaktarë janë familjarët, të cilët nisur nga dhimbja apo feja, dëshërojnë që bijve të tyre të mos u lëvizen eshtrat nga vendi ku ata janë varrosur. Dëshmori i Kombit është biri i gjithë popullit shqiptar dhe si i tillë ai duhet të prehet në vendin e caktuar për këtë qëllim, në varrezat e dëshmorëve të Kombit.

Duan apo nuk duan të dashurit e tyre, detyra e shtetit është që dëshmorët e kombit t’i sistemojë në varrezat e dëshmorëe, sepse në këto mjedise ai jeton me mijëra vjet, ndërsa duke qenë në varreza publike, jo vetëm nuk merr vlerën e duhur, por me kalimin e viteve, dekadave e shekujve, gradualisht humbet dhe varri i tij. Nisur nga gjithë këto kërkesa historike të përcaktuara nga praktika jetësore e kësaj shoqërie njerëzore ku jetojmë, nuk është vetëm detyrim njerëzor, por edhe ligjor, i përcaktuar me Kushtetutë si dokumenti bazë dhe aktet nënligjore, për t‘u shkuar deri në fund të gjitha problemeve, që kanë të bëjnë me jetën dhe me veprën e atyre luftëtarëve çlirimtarë, që sakrifikuan jetën dhe gjakun për atdheun, popullin dhe krejt kombin. Në të kundërtën, atje ku nuk respektohen e nderohen të rënët e luftërave çlirimtare, nuk mund të pretendohet kurrsesi se ekziston shteti i lirë e i pavarur. 

_______

*) Spiro Butka, kolonel, zëvendëskomandant i Operacionit Shigjeta” gjatë luftës së UÇK-ës ; ish-kryetar i SHVL të UÇK-së  në Tiranë,  12 maj 2014.

(Shih:http://oraeshqypnise.blogspot.com/2014/05/deshmoret-e-kombit-brenda-dhe-jashte.html )

 

 

[1] Duke mbajtur parasysh faktin se ky shkrim përkujtues i kolonelit Spiro Butka është shkruar më 2014, konstatimi i tij është plotësisht i saktë, sepse  dëshmorët e vrarë Ilir Konushefci dhe Hazir Malaj nuk ishin të varrosur në varrezat e heronjve në Tiranë ( maj 1998- maj 2018). Mirëpo, 20 vjet më pas, nën patronazhin e qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj (me kërkesën e familjes së Ilir Konushefcit), më 27 Nëntor 2018 solli në Prishtinë  eshtrat e Ilir Konushefcit dhe të mjekut Hazir Malaj, të cilët me nderimet më të larta shtetërore u rivarrosën në Varrezat e Hernojve në Velani të Prishtinës. U rivarrosën pranë varrit të Heroit-Babait të Kosovës, ADEM DEMAÇI.

(Kosova Sot Online)